Politike

Konferenca e Kryetarëve/ Balla thirrje Opozitës: Të punojmë për Kodin e ri për ‘Zgjedhoren’

Po ashtu Balla ka deklaruar se reformat do të vazhdojnë të gjitha dhe nuk mund të bllokohen nga Opozita. 

19 Janar 2026, 11:49 Nga I.A
Konferenca e Kryetarëve/ Balla thirrje Opozitës: Të punojmë
Taulant Balla

TIRANË- Kreu i grupit parlamentar i PS-së Taulant Balla i ka bërë thirrje Opozitës ditën e sotme që të nisin punën për kodin e ri për zgjedhoren. Gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Balla ka komentuar thirrjet për protestë të dëputetëve të PD-së, duke theksuar se revolucionet e tyre s'kanë për të ndodhur kurrë.

Po ashtu Balla ka deklaruar se reformat do të vazhdojnë të gjitha dhe nuk mund të bllokohen nga Opozita. 

“Zonjat dhe zotërinjtë e opozitës, Mos humbisni kohë kot me thirrje dhe përbetime revolucionesh që nuk kanë për të ndodhur. Mos humbisni kohë kot as me “shtrimin e tapetit” të alibisë për humbjen e radhës. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ju plotësisht për t’i dhënë Shqipërisë një Kod të ri Zgjedhor sipas standardeve më të mira zgjedhore, Ndarje Administrative Territoriale funksionale, e gjithçka tjetër. Duhet ta fiksoni mirë në mendje se ju nuk mund te bllokoni reformat. Kemi bere nje marreveshje ne sesionin e kaluar per ngritjen e komisioneve. Nese ju sot thoni terhiqeni nga komisionet kjo është shkelje e marrëveshjes në mënyrë te njëanshme. Ne do të detyrohemi të vazhdojmë punën dhe pa ju.

Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore duhet të adresojë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it ku përparësi të veçantë ka depolitizimi i plotë i administratës zgjedhore. Duhet të marrë fund kjo qasje e papranueshme për një vend anëtar të BE, partitë votohen, partitë numërojnë. Gjithashtu të gjithë ia themi njëri tjetrit majtas-djathtas, në ato netët pafund të numërimit në oakkatet e sportit apo palestrat e shkollave, sa herë kemi zgjedhje. Dhe këtu duhet ta ripërsërisim me zë të lartë nevojën e nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve në një kohë më të shkurtër, pse jo të mos kryhet numërimi në qendrat e votimit.

Fakti është se qoftë për komisionet zgjedhore partiake, qoftë për vonesën në nxjerrjen e rezultatit zgjedhor, koha nuk pret më as për zgjedhjet vendore 2027.
Reforma zgjedhore sa i përket Kodit Zgjedhor kërkon të paktën 84 vota në Kuvend. Por ne e kemi bërë publike ambicjen tonë për një reformë më të thellë e cila të përfshijë edhe zvogëlimin e numrit të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në të paktën 100 apo 101 deputetë. Dëgjova zotin Gjekmarkaj se opozitës i eshtë mohuar e drejta e fjalës. Ka nje indikator shumë domethënës nga sesioni i kaluar. Koha e diskutimeve. Opozita ka marrë 48 orë diskutime, shumica bashkë me Qeverinë 40 orë diskutime në seancë plenare,” tha Balla./Dosja.al

konferenca e kryetareve taulant balla

Sondazh

Poll