Politike

Ftesa zyrtare e Trump për kryeministrin e Shqipërisë/ Spiropali: U ftua personalisht Rama

Në fakt, ftesa e Trump ndaj Ramës ka qenë në mënyrë zyrtare si kryeministër i Shqipërisë dhe jo ftesë individuale. 

19 Janar 2026, 11:17 Nga I.A
Ftesa zyrtare e Trump për kryeministrin e Shqipërisë/ Spiropali:
Elisa Spiropali

TIRANË- Ministrja e Jashtme Elisa Spiropali ka deklaruar se Presidenti Trump ka ftuar personalisht Edi Ramën në 'Bordin e Paqes' së krijuar nga vetë ai. Në fakt, ftesa e Trump ndaj Ramës ka qenë në mënyrë zyrtare si kryeministër i Shqipërisë dhe jo ftesë individuale. 

“Kjo ftesë është një vlerësim i lartë për rolin që ka marrë Shqipëria në çështjet paqes. Ftesa e presidentit të Amerikës Donald Trump është dhe një vlerësim për lidershipin e Ramës, i cili është ftuar personalisht në Bordin e Paqes. Kur kjo ftesë e drejtpërdrejtë e Trump për kryeministrin e Shqipërisë konfirmon forcën dhe besimin e ndërsjellë dhe besimin strategjik të Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Spiropali.

Çfarë është Bordi i Paqes?

Presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur krijimin e Bordit të Paqes, një strukturë e re ndërkombëtare që synon të luajë rol kyç në menaxhimin e periudhës pas-konfliktit në Rripin e Gazës. Ky bord është pjesë e një plani më të gjerë për armëpushim dhe stabilizim të situatës mes Izraelit dhe Hamasit.

Sipas planit, Bordi i Paqes do të mbikëqyrë administrimin tranzitor të Gazës, rindërtimin e infrastrukturës, garantimin e sigurisë dhe krijimin e një qeverisjeje teknokratike palestineze. Në fokus janë gjithashtu çarmatimi i grupeve të armatosura dhe angazhimi i një force ndërkombëtare stabilizuese.

Trump pritet ta kryesojë vetë bordin, ndërsa në përbërje parashikohen figura të njohura politike dhe diplomatike nga SHBA dhe vende të tjera. Vendet anëtare të përhershme të bordit do të kenë detyrimin të kontribuojnë financiarisht me nga 1 miliard dollarë secila, për të mbështetur operacionet e sigurisë dhe procesin e rindërtimit.

Iniciativa ka nxitur debate ndërkombëtare, me mbështetës që e shohin si një mundësi për arritjen e paqes afatgjatë dhe kritikë që shprehin shqetësime për rolin dhe ndikimin e saj në diplomacinë globale./Dosja.al

elisa spiropali bordi i paqes

Sondazh

Poll