Politike

Përmbytjet në Durrës/ Inxhinieri hidroteknik: Janë prej gabimit njerëzor, janë bllokuar kanalet kulluese

Ballo nënvizoi nevojën e bërjes së sistemeve të kullimit dhe pusetave nëpër shtëpi, të cilat duhet të derdhen te kolektori kryesor.

8 Janar 2026, 09:50 Nga I.A
Përmbytjet në Durrës/ Inxhinieri hidroteknik: Janë prej
Fitim Ballo

DURRËS- Inxhinieri hidroteknik Fitim Ballo thotë se situata e përmbytjeve në Durrës vjen për shkak të gabimit njerëzor, pasi janë bllokuar të gjitha kanalet kulluese. Në një intervistë për edicionin e lajmeve në MCN TV, ai deklaroi se hidrovori do punonte kur niveli të ishte i mbushur, por ngriti shqetësimin se për shkak të bllokimit të kanaleve dhe tubacioneve në hidrovor nuk ka prurje. 

Ballo nënvizoi nevojën e bërjes së sistemeve të kullimit dhe pusetave nëpër shtëpi, të cilat duhet të derdhen te kolektori kryesor. Sipas tij, faji për situatën e përmbytjeve është i qeverisë, i organizimit dhe i bashkisë. 

"Nga pikëpamja teknike nuk ka qenë ajo e caqeve që përcaktohet në hidrologji. Reshjet kanë rënë me 50%-70%, këto nuk janë të emergjencave hidrologjike, nuk ka reshje 100-200 mm brenda 24 orëve. Nuk ka të dhënë hidrologjike, nuk ka të dhëna për reshje. 

Ky është një dëm shumë i madh që i bëhet vendit, teknikës dhe shkencës në Shqipëri. Situata që është krijuar në Durrës, e them me përgjegjësi teknike, është gabim njerëzor, janë bllokuar të gjitha kanalet kulluese, si kryesorët, dhe të dytët dhe të tretë. Kanalet janë futur poshtë rrugës me tubacion shumë të vogël, nuk ka si të punojë hidrovori. 

Kjo tregon që nuk ka kullim dhe është shkatërruar çdo gjë e bonifikimit. Hidrovori do punonte kur niveli të ishte i mbushur. Hidrovorët në zonën e Kënetës janë bërë me dy faza, i pari në 1962 dhe në 1975 u bë rikonstruksioni në 25 metër kub, i bie pesë litra në sekondë. Ky hidrovor duhet dyfishohet, se është bërë kur ishte Këneta bosh dhe tani është betonuar. 

Nuk ka rrjedhje më, ka ujëra që dalin nga këto rrugë dhe këto sipërfaqe. Nëse koefiçenti është 0.4, duhet të bëhet 0.7. është ndryshuar skema e kullimit të fushës së Durrësit dhe nuk është e qartë si do punojnë këto hidrovor në seri a në paralel. Kush e ka bërë këtë gabim duhet ta rregullojë. Ashtu do rrinë ata banorë, do rrinë me ditë me ujë. Duhet filluar të bëhen sisteme kullimi. 

Të vendosen puseta në çdo shtëpi dhe të derdhen te kolektori kryesor, atje nuk ka zgjidhje. Populli atje është në vështirësi shumë të madhe. Hidrovori punon, po uji nga i vjen? Nuk shkon ujë mjaftueshëm. Nuk shkon uji në hidrovor. Të gjithë hidrovorët bllokohen nga plastika, ndërsa në hidrovor asgjë. Plastikë kanë kanalet, tubat. Për çdo gjë përgjegjësinë e ka Kryeministri, qeveria, bashkia. 

Mbeturinat shkojnë atje, se nuk janë vendosur koshat. Nuk ka incenerator. Faji është i qeverisë, i organizimit, i bashkisë, populli bën atë që i thotë qeveria. Kryeministri mos t’ia hedhë popullit. Zoti Rama ta kërkojë përgjegjësinë te vetja e vetë, te bashkia. 

Atje është korruptive e gjithë ajo fushë, e gjithë ajo kënetë. Ai të vejë të mbrojë popullin që po përmbytet. Ato shtëpi që janë përmbytur nuk bëhen shtëpi kurrë, ata do i zërë të gjithë tuberkolozi, se uji është turbulluar me ujërat e zeza. Është një dëm shumë i madh. Këto të shikojë Kryeministri, të vërë njerëz dhe profesionistë, jo patronazhistë," tha Ballo.

fitim ballo

Sondazh

Poll