Politike

"Rama i ka shpallur luftë drejtësisë"/ Berisha: Ne do i përgjigjemi me protesta të fuqishme me moton ‘ja vdekje, ja liri’

Gjatë fjalës së tij, Lideri i opozitës u shpreh se 22 dhjetori provoi se opozita është një shumicë politike në Shqipëri dhe e gatshme për tu përballur me Edi Ramën në një betejë përfundimtare për rikthimin e votës së lirë.

3 Janar 2026, 12:24 Nga E. D
"Rama i ka shpallur luftë drejtësisë"/ Berisha: Ne do i
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se i ka shpallur luftë sistemit të drejtësisë. Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në Facebook, Berisha paralajmëroi protesta të reja të fuqishme të opozitës, duke theksuar se beteja do të zhvillohet nën moton “ja vdekje, ja liri”.

Gjatë fjalës së tij, Lideri i opozitës u shpreh se 22 dhjetori provoi se opozita është një shumicë politike në Shqipëri dhe e gatshme për tu përballur me Edi Ramën në një betejë përfundimtare për rikthimin e votës së lirë.

"Viti i ri në Shqipëri nis në një kohë kur në prag të vitit, Edi Rama apo Ramaduro, i shpalli luftë të hapur sistemit të drejtësisë dhe pranoi të gjithë fajësinë e tij. Cilido qëndoqi monologun tre orësh të tij, kuptoi dy gjëra, se ai pranon të gjitha vjedhjet që u ka bërë shqiptarëve, por në gjuhën oruelliane ato nuk i konsideron vjedhje, i konsideron si veprimtari të ligjshme të tij si kryeministër, ndaj dhe mori në mbrojtje të paskrupullt, të hapur, Lubi Ballukun dhe po aq Mirlindën e AKSHI-t, për të cilën tha se ai kishte respekt maksimal. Natyrisht njeriu që drejtoi në arkat dhe kontot e familjes Rama qindra milionë euro nuk ka si të mos ketë respektin maksimal nga Rama.

Por ajo që spikati në këtë fjalë dhe që përbën një zhvillim dramatik për vendin është lufta e tij e hapur kundër sistemit të drejtësisë. Rama u zotua se ai nuk do pranojë vendimet e prokurorisë dhe gjykatave për rrethin e tij familjar, për atë dhe ministrat e tij. Në këtë kontekst, mbetet pra vetëm zëri i opozitës.

Po shkohet drejt një grushti të plotë shteti, ku pushteti ekzekutiv paralizon dhe merr të gjithë pushtetin e pushtetit gjyqësor. Atëherë fjalën e ka populli dhe vetëm populli. Ndaj dhe ne kjo situatë na fton dhe nuk na gjen aspak të papërgatitur. 22 dhjetori provoi se ku ishim dhe ku jemi ne si opozitë, si PD. 22 dhjetori provoi se ne jemi një shumicë politike në Shqipëri, të gatshëm për t’u përballur me Edi Ramën në një betejë përfundimtare për rikthimin e votës së lirë. Të gjithë të dhënat janë se Edi Rama nuk do pranojë verdiktin e organeve të drejtësisë.

Në këtë mënyrë de facto merr edhe atë pak pushtet që kishte mbetur i pavarur në këtë sistem. Pra, ai shndërrohet në diktatorin e pushtetit absolut. Ndaj dhe përgjigja jonë do të jetë absolute ndaj tij. Kështu që do përgatitemi dhe jemi të përgatitur për protesta të reja të fuqishme nën moton ja vdekje, ja liri. Dhe ne do fitojmë. Ne sa herë që kemi përdorur këtë moto kur janë kërcënuar për vdekje këto liri tonat, ne kemi triumfuar. Ka ndodhur në vitin 1991, 1998, 1999, po ndodh tani në mënyrën më të paimagjinueshme pas 35 vitesh pluralizëm.

Kështu që duke u uruar edhe njëherë vitin e ri, u ftoj të betohemi ne për misionin tonë të ri, largimin e Ramaduros nga pushteti, zgjedhjet e lira, opozita në pushtet. Rilindja është e vdekur, në vdekje klinike, është një kalbësirë që po kundërmon në mbarë vendin, në Europë dhe në botë. Edi Rama është një kufomë politike që po kundërmon në Europë dhe në botë. Na përket ne t’i groposim ato në banesën e turpit të historisë," tha Berisha./Dosja.al

sali berisha edi rama opozita partia demokratike

Sondazh

Poll