Aktualitet

Zhvendosen zyrat e IdentiTek, ndryshojnë vendndodhjet e aplikimeve në Tiranë

Mësohet se zyrat IdentiTek 5 dhe IdentiTek 8 & 9 do të zhvendosen pranë njësive administrative përkatëse, me qëllim rritjen e aksesueshmërisë së shërbimeve për qytetarët.

29 Dhjetor 2025, 10:07 Nga I.A
Zhvendosen zyrat e IdentiTek, ndryshojnë vendndodhjet e aplikimeve në
Ministria e Brendshme

TIRANË- Disa zyra të aplikimit për dokumente biometrike IdentiTek në Tiranë do të ndryshojnë vendndodhje. Mësohet se zyrat IdentiTek 5 dhe IdentiTek 8 & 9 do të zhvendosen pranë njësive administrative përkatëse, me qëllim rritjen e aksesueshmërisë së shërbimeve për qytetarët.

Njoftimi:

Nga 30 dhjetori ndryshojnë vendndodhjet e disa zyrave të aplikimit të IdentiTek në Tiranë. Nga nesër, do të ndryshojë vendndodhja e disa zyrave të aplikimit për dokumente biometrike në qytetin e Tiranës, konkretisht zyrave IdentiTek 5 dhe IdentiTek 8 & 9. Zyrat e reja do të funksionojnë pranë njësive administrative përkatëse.

Zyra IdentiTek 5, e cila ndodhet në Rrugën “Robert Shvarc”, në zonën e Komunës së Parisit, do të zhvendoset dhe do të ofrojë shërbimet pranë Njësisë Administrative Nr. 5, në zonën e Bllokut. Ndërkohë, zyra IdentiTek 8 & 9, që operon në Rrugën e Barrikadave, do të ndahet si më poshtë:

• IdentiTek 8 do të funksionojë pranë Njësisë Administrative Nr. 8, në Rrugën e Dibrës;

• IdentiTek 9 do të funksionojë pranë Njësisë Administrative Nr. 9, në Bulevardin “Zogu I”.

Qytetarët që kanë kryer aplikime për karta identiteti pranë zyrave IdentiTek 8 & 9 deri më sot, do t’i tërheqin dokumentet e tyre pranë Njësisë Administrative Nr. 8. Këto ndryshime kanë qëllim rritjen e aksesueshmërisë së shërbimeve të aplikimit për dokumente identifikimi, duke i afruar ato më pranë qytetarëve, në njësitë administrative përkatëse.

ministria e brendshme identitek

Sondazh

Poll