Aktualitet

Gruaja me epilepsi dhe burri me probleme të shëndetit mendor, historia e trishtë e një familjeje nga Fieri

Ky është muaji i festave, i përqafimeve me dashuri dhe i tavolinave të mbushura plot. Mirëpo, dhjetori nuk troket njësoj në çdo derë, sepse ka edhe nga ata që i kalojnë në heshtje këto ditë festash, pa pasur mundësinë të ndjejnë atmosferën e ngrohtë.

26 Dhjetor 2025, 22:37 Nga E. D
Gruaja me epilepsi dhe burri me probleme të shëndetit mendor, historia
foto nga emisioni

FIER- Dhjetori është muaji kur të gjithë mbyllin një kapitull, me dëshirën dhe shpresën se viti i ri do të jetë më i mirë se ai që lihet pas. Ky është muaji i festave, i përqafimeve me dashuri dhe i tavolinave të mbushura plot. Mirëpo, dhjetori nuk troket njësoj në çdo derë, sepse ka edhe nga ata që i kalojnë në heshtje këto ditë festash, pa pasur mundësinë të ndjejnë atmosferën e ngrohtë.

I tillë është rasti i familjes Kapllanaj, nga fshati Buzmadh i Fierit. Kjo familje është e vogël, por sfidat me të cilat përballet çdo ditë janë shumë të mëdha.

Fatbardha, gruaja e kësaj shtëpie, tregon për “Piranjat” se prej pesë vitesh banesa në të cilën jeton me bashkëshortin dhe djalin 17-vjeçar është në rrezik shembjeje.

Një pjesë e tavanit të banesës është rrëzuar përtokë, ndërsa dyshemeja është e çarë pothuajse në të gjithë gjatësinë e saj. Për këtë arsye, 53-vjeçarja thotë se u detyruan të zhvendosen në një ambient tjetër, i cili më parë u shërbente si kasolle për mbajtjen e bagëtive.

“Flinin dhitë këtu dhe, siç na ndodhi ajo gjë, kemi ikur. Dritare s’ka, e kemi me plastmas aty. Plastmasi ka qenë për bagëtitë, sepse nxirrnim plehun këtu. Tani kemi vendosur një plastmas tjetër dhe e kemi izoluar. Mbyllim derën, futemi në batanije, dridhemi dhe kaq. Ky është realiteti”, tregon Fatbardha.

Por edhe më dramatik është fakti se 53-vjeçarja vuan nga epilepsia, ndërsa bashkëshorti i saj ka probleme të shëndetit mendor. Pavarësisht se sëmundja i rikthehet herë pas here, Fatbardhës i është dashur të kujdeset vazhdimisht për të shoqin, i cili, për shkak të gjendjes shëndetësore, shfaq sjellje të luhatshme.

Për t’i ardhur në ndihmë familjes dhe për të gjetur një zgjidhje për situatën e tyre, “Piranjat” iu drejtuan Bashkisë së Fierit. Natasha Sollaku, specialiste e strehimit në bashki, tha se aktualisht ofrohet si mbështetje për familjet në nevojë programi i bonusit të qirasë.

“Aktualisht jemi duke ndjekur programin e bonusit të qirasë, ku familjet që kërkojnë mbështetje përmes këtij programi duhet të plotësojnë një sërë dokumentesh, të cilat mund të nxirren nga e-Albania. Kushti kryesor është që zonja të ketë një kontratë qiraje me pronarin e banesës, pasi pagesa kalon drejtpërdrejt te pronari i shtëpisë.

Brenda muajit janar, rastet do të kalojnë për miratim në Këshillin Bashkiak”, u shpreh specialistja e strehimit./Piranjat.news

fieri

Sondazh

Poll