Aktualitet

Ndihmuan një 31-vjeçar nga Turqia të kalonte kufirin ilegalisht, arrestohen 3 persona në Prrenjas

 Shtetasi turk rezulton në kërkim kombëtar nga autoritetet e Turqisë, i dyshuar për vepra penale në fushën e krimeve të rënda dhe të narkotikëve.

26 Dhjetor 2025, 15:00 Nga E.d
Ndihmuan një 31-vjeçar nga Turqia të kalonte kufirin
Foto ilustruese

ELBASAN- Policia ka arrestuar ditën e sotme tre persona në Prrenjas. Ata u arrestuan nga forcat blu, pasi ndihmuan një 31-vjeçar nga Turqia të kalonte kufirin ilegalisht, kundrejt përfitimit monetar. Shtetasi turk rezulton në kërkim kombëtar nga autoritetet e Turqisë, i dyshuar për vepra penale në fushën e krimeve të rënda dhe të narkotikëve.

Në kuadër të kësaj u arrestua një 49-vjeçar banues në Strugë, një 48-vjeçare banuese në Gostivar dhe një 39-vjeçar banues në Prrenjas. Nga hetimet ka rezultuar se dy prej tyre kanë transportuar emigrantin nga territori i Maqedonisë së Veriut në drejtim të kufirit të gjelbër pranë PKK Qafë Thanë. 

Më pas, me ndihmën e personit të tretë është mundësuar kalimi i paligjshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë, me qëllim vijimin e udhëtimit drejt qytetit të Tiranës. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 2 automjete, 4 aparate celularë, shuma monetare në lekë, euro dhe valuta të tjera të huaja, si dhe dokumente personale identifikuese, të cilat do t’i shërbejnë hetimit.


Njoftimi i policisë

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme pranë DVP Elbasan, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Prrenjas, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, pas një pune hetimore të ndjekur me metoda proaktive dhe të bazuar në informacione operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Border”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

D. Z., 49 vjeç, banues në Strugë, Maqedonia e Veriut;

T. Z., 48 vjeçe, banuese në Gostivar, Maqedonia e Veriut (bashkëshortja e shtetasitD. Z.);

T. Q., 39 vjeç, banues në fshatin Rrajcë, bashkia Prrenjas.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin:

S. K., 31 vjeç, banues në Stambull, Turqi.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasit D. Z. dhe T. Z., në bashkëpunim me shtetasin T. Q., kanë organizuar dhe realizuar dhënien e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror për shtetasin S. K., kundrejt përfitimit monetar. Konkretisht, shtetasit D. Z. dhe T. Z. kanë transportuar emigrantin nga territori i Maqedonisë së Veriut në drejtim të kufirit të gjelbër pranë PKK Qafë Thanë, ku më pas, me ndihmën e shtetasit T. Q., është mundësuar kalimi i paligjshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë, me qëllim vijimin e udhëtimit drejt qytetit të Tiranës.

Gjatë operacionit u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 2 automjete, 4 aparate celularë, shuma monetare në lekë, euro dhe valuta të tjera të huaja, si dhe dokumente personale identifikuese, të cilat do t’i shërbejnë hetimit.

Gjithashtu, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se emigranti i ndihmuar, shtetasi S. K., është shtetas turk dhe rezulton në kërkim kombëtar nga autoritetet e Turqisë, i dyshuar për vepra penale në fushën e krimeve të rënda dhe të narkotikëve. Për këtë shtetas janë kryer procedurat përkatëse ligjore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme./Dosja.al

elbasan shtetas turk tre arrestime

Sondazh

Poll