Aktualitet

"Nënën e kam në gjendje të rëndë shëndetësore!" Shqiptari trafikon kokainë në Itali, DËSHMIA në Gjykatë para lirimit: Motra e divorcuar, kujdeset e vetme për dy fëmijë

I riu, zdrukthëtar me profesion, banor në Itali prej vitesh dhe pa asnjë precedent penal, u ndalua nga karabinierët gjatë një kontrolli rutinë rrugor, shkruajnë mediat italiane.

24 Dhjetor 2025, 16:17 Nga M.L
"Nënën e kam në gjendje të rëndë
Foto ilustruese

ITALI- Një histori e vështirë familjare dhe presioni ekonomik dyshohet se e shtynë drejt një zgjedhjeje të gabuar një 30-vjeçar me origjinë shqiptare, i cili u arrestua mbrëmjen e kaluar në Marotta me 33 gramë kokainë. I riu, zdrukthëtar me profesion, banor në Itali prej vitesh dhe pa asnjë precedent penal, u ndalua nga karabinierët gjatë një kontrolli rutinë rrugor, shkruajnë mediat italiane.

Ngjarja ndodhi përgjatë autostradës pranë Marottës, ku efektivët e rendit ndaluan automjetin e tij për verifikime standarde. Kontrolli fillestar i personit dhe i mjetit nuk nxori në pah asgjë të paligjshme, por sjellja e tij e shqetësuar ngriti dyshime te karabinierët, të cilët vendosën të vazhdonin hetimet me një kontroll në banesën e tij.

Gjatë kontrollit në shtëpi, autoritetet gjetën 33 gramë kokainë. Përballë gjetjeve, 30-vjeçari nuk ofroi asnjë rezistencë dhe e dorëzoi menjëherë lëndën narkotike, duke treguar që në fillim një qëndrim bashkëpunues me organet e drejtësisë.

I arrestuar për posedim të drogës me qëllim shitjeje, ai u paraqit të nesërmen para gjykatës për një seancë të përshpejtuar. Para gjyqtarit, burri pranoi fajin, duke deklaruar se kishte bërë një gabim serioz dhe se ishte i gatshëm të merrte përgjegjësi të plotë për veprimin e tij.

Në deklarimin e tij, ai shpjegoi se ishte ndodhur në një situatë të rënduar personale dhe familjare: nëna e tij ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Shqipëri dhe ka nevojë për ndihmë financiare, ndërsa motra e tij, e ndarë së fundmi, kujdeset e vetme për dy fëmijë të mitur. Sipas tij, këto vështirësi e kishin çuar drejt një vendimi të dëshpëruar, ndonëse të gabuar.

I përfaqësuar nga avokati Salvatore Asole, 30-vjeçari u shpall fajtor për një vepër penale të lehtë dhe u dënua me pesë muaj e dhjetë ditë burgim me kusht. Gjykata konfirmoi arrestimin, por nuk vendosi asnjë masë sigurie, duke urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm.

Në vendimin e gjykatës, sipas burimeve, kanë ndikuar disa faktorë lehtësues: mungesa e precedentëve penalë, bashkëpunimi i menjëhershëm me autoritetet, dorëzimi vullnetar i drogës dhe qëndrimi korrekt gjatë gjithë procesit gjyqësor.

Rasti nxjerr në pah edhe një herë se pas ngjarjeve që lidhen me trafikimin e lëndëve narkotike shpesh fshihen histori brishtësie sociale dhe familjare, ku presioni ekonomik dhe përgjegjësitë e rënda personale çojnë në zgjedhje që përfundojnë në mënyrën më të keqe të mundshme./ Dosja.al

Sondazh

Poll