Politike

"Pikëllimi është mbarëkombëtar"/ Vdekja e Shemsi Krasniqit, reagon Osmani dhe Kurti: “Xhamadani vija-vija” do vijojë të na bashkojë

Në mesazhin e saj, Osmani veçoi këngën ikonike “Xhamadani vija vija”, duke e cilësuar si një kujtim të fuqishëm dhe simbolik që vazhdon të bashkojë emocione, histori dhe identitet, ashtu siç bëri zëri i Shemit ndër dekada. Ajo rikujtoi gjithashtu se dy vjet më parë, për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në art dhe kulturë, Shemsi Krasniqi dhe grupi “Ilirët” ishin nderuar me ‘Medaljen Presidenciale të Meritave’.

22 Dhjetor 2025, 22:25 Nga E. D

"Pikëllimi është mbarëkombëtar"/ Vdekja e

KOSOVË- Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani dhe Kryeministri në detyrë Albin Kurti, kanë reaguar, pas ndarjes nga jeta të  Shemsi Krasniqit, i njohur si “Shemi”, vokalisti i grupit legjendar “Ilirët”. Në mesazhin e saj, Osmani veçoi këngën ikonike “Xhamadani vija vija”, duke e cilësuar si një kujtim të fuqishëm dhe simbolik që vazhdon të bashkojë emocione, histori dhe identitet, ashtu siç bëri zëri i Shemit ndër dekada. Ajo rikujtoi gjithashtu se dy vjet më parë, për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në art dhe kulturë, Shemsi Krasniqi dhe grupi “Ilirët” ishin nderuar me ‘Medaljen Presidenciale të Meritave’.

"Presidentja Osmani ngushëllon familjen, miqtë, bashkëpunëtorët dhe gjithë komunitetin artistik për ndarjen nga jeta të Shemsi Krasniqit – Shemit. Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Shemsi Krasniqit – Shemit, vokalistit emblematik të grupit legjendar “Ilirët”, njërit prej zërave më përfaqësues të rock-skenës kosovare të viteve ’80. “Xhamadani vija vija” mbetet një kujtim i fuqishëm dhe simbolik, që vazhdon të bashkojë emocione, histori dhe identitet, ashtu siç bëri zëri i Shemit ndër dekada.

Në këto çaste të rënda, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë, bashkëpunëtorët dhe gjithë komunitetin artistik. Për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm, dy vjet më parë, Shemin dhe grupin “Ilirët”, i vlerësuam me Medaljen Pesidenciale të Meritave. Kujtimi dhe vepra e tij do të jetojnë gjatë përmes muzikës që na la trashëgimi. I përhershëm qoftë kujtimi për Shemsi Krasiqin- Shemin!" tha Osmani.

Edhe Kurti i ka shprehur ngushëllime familjes, duke nderuar figurën e Shemit, si një zë që do të dëgjohet përherë. Ndër të tjera, Kurti theksoi se si vokalist i “Ilirëve”, ai i dha fytyrë një etape të rëndësishme të muzikës sonë dhe i dha publikun një mënyrë për ta ndjerë veten bashkë, edhe kur ishim larg.

“Sot u nda nga jeta Shemsi Krasniqi – Shemi, një zë që ka hyrë në shtëpitë tona pa trokitur. Si vokalist i “Ilirëve”, ai i dha fytyrë një etape të rëndësishme të muzikës sonë dhe i dha publikun një mënyrë për ta ndjerë veten bashkë, edhe kur ishim larg. Me interpretimin e tij, kënga u bë kujtesë dhe kujtesa u bë këngë; “Xhamadani vija-vija” u dëgjua e u këndua si shenjë identiteti dhe bashkimi për shqiptarët kudo. Në këto çaste, e kuptojmë edhe më shumë se sa rrallë lindin zëra që nuk janë vetëm art, por janë gjuhë e përbashkët emocioni shpirtëror.

Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e tij, për dhimbjen e humbjes. Ngushëllime për miqtë, bashkëpunëtorët dhe për gjithë publikun që e deshi, sepse kur ikën një artist i tillë, pikëllimi është mbarëkombëtar. Të gjithë ne ta nderojmë me respektin që i takon, duke e mbajtur gjallë në kujtim dhe në mirënjohje. Disa zëra nuk mbarojnë me një lajm, ata vazhdojnë sa herë që një këngë ngrihet si flamur në zemër. Ashtu do të dëgjohet përherë Shemi jonë, xhamadan i këngës e shpirtit. U prehtë në paqe. I lehtë i qoftë dheu”, shkruan Albin Kurti./Dosja.al

albin kurti vjosa osmani

Sondazh

Poll