Politike

Spiropali pritet nga Presidentja dhe Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut: Integrimi në BE, më shumë se qëllim kombëtar, aspiratë e përbashkët rajonale

Takimi u fokusua në rrugëtimin e përbashkët të dy vendeve tona drejt vlerave perëndimore dhe përkushtimin për ta çuar përpara agjendën europiane.

22 Dhjetor 2025, 21:05 Nga E. D
Spiropali pritet nga Presidentja dhe Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë
Elisa Spiropali

MAQEDONI E VERIUT- Në vijim të vizitës së saj zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Ministrja Spiropali u prit nga Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova. Takimi u fokusua në rrugëtimin e përbashkët të dy vendeve tona drejt vlerave perëndimore dhe përkushtimin për ta çuar përpara agjendën europiane.

"Thellimi i marrdhënieve bilaterale në çdo fushë dhe rritja e shkëmbimeve ekonomike janë prioritet. Integrimi në Bashkimin Europian është më shumë se një qëllim kombëtar: është një aspiratë e përbashkët rajonale. Një Ballkan Perëndimor i integruar plotësisht e bën Bashkimin Europian më të fortë, më të bashkuar dhe më të aftë për t’u përballur me sfidat e sotme", tha Spiropali.

Me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, Ministrja Spiropali theksoi rolin kyç të Kuvendit dhe diplomacisë parlamentare në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe.

"U theksua rëndësia e angazhimit të të gjitha forcave politike të përfaqësuara në Kuvend për mbështetjen e reformave, forcimin e dialogut politik dhe përshpejtimin e procesit të integrimit europian. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndajnë të njëjtin horizont europian dhe bashkëpunimi parlamentar mbetet një shtyllë e rëndësishme për ta çuar këtë proces përpara me konsensus, përgjegjësi dhe vizion të përbashkët", deklaroi Spiropali./Dosja.al

elisa spiropali

Sondazh

Poll