Aktualitet

Mori 150 mijë euro nga të afërmit e saj, “kushërira mashtruese” përballet me “Piranjat”

Vitorela, 24 vjeçe, rrëfen për “Piranjat” se gjithçka nisi nga një njohje familjare, që në dukje dukej si një dorë ndihme.

19 Dhjetor 2025, 22:43 Nga DOSJA
Mori 150 mijë euro nga të afërmit e saj, “kushërira
Foto nga emisioni

Pas dyerve të mbyllura të familjeve dhe rrethit të ngushtë, aty ku besohet se askush nuk mund të të dëmtojë, ndodhin shpesh edhe mashtrime të rënda. I tillë është rasti i një familjeje nga Erseka, e cila ka rënë pre e një skeme mashtrimi të ndërtuar nga një person i afërt.

Vitorela, 24 vjeçe, rrëfen për “Piranjat” se gjithçka nisi nga një njohje familjare, që në dukje dukej si një dorë ndihme.

“Xhilda është kushërirë e mamit tim. E kemi njohur në një festë familjare, ku ajo më ofroi një vend pune aty ku punonte vetë. Fillova punë si kamariere dhe, duke qenë se kisha tre vite në Tiranë pa asnjë kontakt me fisin, e mora si një mbështetje të sinqertë. Më ofroi të jetoja në shtëpinë e saj, që të mos paguaja qira, dhe unë pranova.”

Pas krijimit të besimit, sipas Vitorelës, kushërira u hodhi familjarëve një tjetër ide: blerjen e një shtëpie në Tiranë, me vlerë 70 mijë euro. Familja, me shumë sakrifica, arriti të siguronte 30 mijë euro si parapagim, me premtimin se pjesa tjetër do të shlyhej pasi të dorëzohej certifikata e pronësisë.

Por dokumentet e shtëpisë nuk u dorëzuan kurrë.

“Ajo justifikohej se kishte probleme me hapjen e NIPT-it, sepse kishte një biznes dhe fatura të bllokuara. Na kërkoi ndihmë financiare për ta zgjidhur këtë çështje. Thamë ta ndihmonim, sepse ishte e afërmja jonë dhe kishte edhe një zyrë konsulence”, tregon Vitorela.

Kjo ndihmë u kthye në një spirale borxhesh. Familja e vajzës mori kredi bankare dhe hua të ndryshme, duke u zhytur gradualisht në një borxh që, sipas tyre, arriti në 150 mijë euro. Xhilda kishte premtuar se do t’i shlyente të gjitha detyrimet, por prej shtatë muajsh, sipas denoncueses, nuk ka kthyer asnjë shumë.

Në disa regjistrime audio që familja i ka vënë në dispozicion të “Piranjave”, Xhilda pretendon se pas gjithë kësaj skeme fshihet një person tjetër, Artan Bakiu, i cili sipas saj e detyronte të kërkonte shuma të mëdha parash. Por nga mesazhet në rrjetet sociale, familja e Vitorelës dyshon se profili i Artan Bakiut mund të kontrollohet nga vetë Xhilda, pasi mënyra e të shkruarit dhe komunikimit është identike.

E përballur drejtpërdrejt me “Piranjat”, Xhilda pranoi se ndodhet në vështirësi të mëdha financiare, duke deklaruar se biznesi i saj ka falimentuar. Ajo u shpreh se do të përpiqet të shlyejë sa më shpejt detyrimet ndaj të afërmve, por pa dhënë afate konkrete apo garanci.

Ndërkohë, familja e dëmtuar mbetet e zhytur në borxhe dhe pa asnjë dokument që provon investimin e bërë, duke e kthyer këtë histori në një tjetër shembull se si mashtrimi më i dhimbshëm vjen shpesh nga njerëzit që i ke më afër./ Piranjat.al

emisioni piranjat ersekë

Sondazh

Poll

Aktualitet 19 Dhjetor 2025, 21:55

Monolog

Foto nga emisioni Ndonjëherë kam përshtypjen se shumë prej nesh mendojnë sikur do të jetojnë… 700 vjet. Shoh njer...