Aktualitet

Monolog

19 Dhjetor 2025, 21:55 Nga DOSJA
Monolog
Foto nga emisioni

Ndonjëherë kam përshtypjen se shumë prej nesh mendojnë sikur do të jetojnë… 700 vjet. Shoh njerëz që vrapojnë të marrin, të grumbullojnë, të vjedhin e të abuzojnë. Ndërtojnë pasuri mbi pasuri, por nuk pasurojnë jetën e tyre, as të askujt tjetër. Ndoshta mendojnë se paraja do t’i bëjë të pavdekshëm.

Kemi një shprehje ne që thotë: “Asgjë nuk marrim me vete, në fund të gjithë 2 metra vend zëmë.”

Por pse më duket sikur askush nuk e ka dëgjuar?

Ju do të thoni: “Po ka njerëz që kanë piramida, mauzoleume, varre me kupola e me statuja.”

Po. Por ato janë për të gënjyer të gjallët, sepse ai poshtë vetëm 2 metra tokë ka. Edhe sikur ta veshësh varrin me ar, poshtë je njësoj si të gjithë.

Sa njerëz ka të kapur pas pengjeve të së djeshmes?

E mbushin shpirtin me mërzi e maraz: “Se ky…”, “Se ajo…”, “Si e bëra atë gabim…”

Jetojnë vetëm në të djeshmen. Një pjesë tjetër jeton duke bërë plane… për nesër, për pas një muaji, për pas 10 vjetësh.

“Kur të vijë vera…”,
“Kur të martohet djali…”,
“Kur të mbledh lekë…”
Jetojnë vetëm në të ardhmen.

Të gjithë këta humbin momentin më të rëndësishëm:
atë që ndodh sot, këtu, tani.
E vetmja kohë që ka vërtet rëndësi.

Pastaj shoh njerëz që u duket vetja shumë të rëndësishëm. Kanë në dorë jetën e dikujt, rrogën e dikujt, dhe kjo i bën të ndihen të gjithëpushtetshëm. U duket se ata janë në majë dhe të tjerët poshtë. Mendojnë se bota rrotullohet rreth tyre. Ankohemi kaq shumë – shpesh me të drejtë – por harrojmë të falënderojmë për gjërat e thjeshta.

Sa herë hap sytë në mëngjes… a nuk është lajm i mirë që je gjallë?

A nuk mjafton kaq për të qenë falënderues?

Por jo. Jemi shumë të zënë duke u ankuar për trafikun, për qeverinë, për motin. Nëse ke një baba që të merr në telefon, je i bekuar. Nëse ke një nënë, një mama që të merr në telefon, je i bekuar. Nëse ke vëllezër e motra që të shkruajnë budalliqe, prapë je i bekuar. Nëse ke shokë apo miq që të pyesin “Si je?”, nëse ke dikë që lutet për ty, je i bekuar.

Nëse ke dikë që të thotë: “Më bëj telefon kur të arrish në shtëpi”, je shumë i bekuar.

Një ditë, secili prej tyre nuk do të jetë më aty. A e harrojmë se dikë që mund ta takojmë sot, mund të jetë hera e fundit që e shohim? Ose me dikë që flasim në telefon, mund të jetë hera e fundit që i dëgjojmë zërin.

Jeta është e padrejtë… dhe ne e harrojmë. Harrojmë sa të përkohshëm jemi. Harrojmë sa falënderues duhet të jemi për të sotmen. Çdo ditë e re është një bekim.

Niseni ditën me një falënderim dhe mbylleni me një lutje./ Piranjat.al

Sondazh

Poll