Aktualitet

Nga fshehja e aksidentit te ekspertizat që nuk përputhen: çfarë ndodhi realisht në Durrës?

Byku u përplas nga një automjet tip Range Rover, i drejtuar nga 35-vjeçari Enio Likmeta, dhe u dërgua në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku qëndroi për rreth tre javë pa u identifikuar dhe pa praninë e familjarëve, të cilët ndërkohë e kërkonin si person të humbur.

19 Dhjetor 2025, 22:11 Nga M.L
Nga fshehja e aksidentit te ekspertizat që nuk përputhen:
Foto nga emisioni

Një aksident i rëndë rrugor, i ndodhur mbrëmjen e 28 qershorit 2025 në zonën e Urës së Dajlanit në Durrës, që solli vdekjen e peshkatarit 55-vjeçar Arben Byku, nuk u publikua asnjëherë në media dhe nuk u pasqyrua me asnjë kronikë apo njoftim zyrtar për publikun.

Byku u përplas nga një automjet tip Range Rover, i drejtuar nga 35-vjeçari Enio Likmeta, dhe u dërgua në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku qëndroi për rreth tre javë pa u identifikuar dhe pa praninë e familjarëve, të cilët ndërkohë e kërkonin si person të humbur.

Pas vdekjes, trupi i tij u dërgua në morgun e Tiranës si person i paidentifikuar, ku qëndroi për javë të tëra, derisa u gjet rastësisht nga familjarët, rreth një muaj pas zhdukjes.

Familjarët deklarojnë se gjatë gjithë kësaj kohe janë drejtuar vazhdimisht në Komisariatin e Policisë së Plazhit në Durrës, në Komisariatin e Durrësit dhe në Spitalin e Durrësit, ku janë siguruar nga oficerë të policisë se nuk rezultonte asnjë informacion për Arben Bykun dhe se nuk kishte ndodhur asnjë aksident i tillë.

Ndërkohë, oficeri i policisë gjyqësore (OPGJ) Arjan Qesja deklaron se identifikimi do të kishte qenë i menjëhershëm nëse Stacioni i Policisë së Plazhit do të kishte njoftuar për zhdukjen e 55-vjeçarit, duke theksuar mungesën e theksuar të koordinimit mes institucioneve. Hetimi ka nxjerrë në pah tre akte ekspertize me përfundime diametralisht të kundërta lidhur me shpejtësinë e mjetit në momentin e aksidentit.

Ekspertiza e parë flet për një shpejtësi rreth 44 km/h.

Ekspertiza e dytë, e firmosur nga dy ekspertë, e vlerëson shpejtësinë nën 50 km/h, duke ia atribuar përgjegjësinë kryesisht këmbësorit.

Ndërsa ekspertiza e tretë, e kryer nga eksperti Evald Jaho, përllogarit shpejtësinë rreth 73–75 km/h, dyfish mbi kufirin e lejuar prej 40 km/h, dhe konkludon se aksidenti do të ishte shmangur nëse mjeti do të qarkullonte me shpejtësinë e lejuar.

Sipas këtij akti, drejtuesi i mjetit kishte mundësi reale frenimi dhe shmangie, por nuk ka reaguar.

Megjithëse Enio Likmeta ndodhet zyrtarisht në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, verifikimet në terren dhe dëshmitë e punonjësve të një lokali në pronësi të familjes së tij tregojnë se ai lëviz lirshëm, jo vetëm rreth banesës, por edhe për të kryer punë dhe furnizime, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi zbatimin real të kësaj mase sigurie. Çështja ndodhet ende në fazën e hetimit, ndërsa prokuroria pritet të vendosë për dërgimin e saj në gjykatë, pushimin e çështjes ose procedimin penal të drejtuesit të mjetit.

Ndërkohë, mbeten pa përgjigje disa pyetje thelbësore:

Pse aksidenti nuk u bë publik?

Pse trupi i viktimës mbeti i fshehur dhe i paidentifikuar për javë të tëra?

Pse institucionet nuk u koordinuan mes tyre?

Pse ekzistojnë ekspertiza kaq të kundërta për të njëjtën ngjarje?

Dhe pse një person në arrest shtëpie vijon të lëvizë lirshëm?/ Piranjat.al

arben byku

Sondazh

Poll

Aktualitet 19 Dhjetor 2025, 21:55

Monolog

Foto nga emisioni Ndonjëherë kam përshtypjen se shumë prej nesh mendojnë sikur do të jetojnë… 700 vjet. Shoh njer...