Politike

SPAK kërkoi heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut! ZBARDHET shkresa me firmën e Altin Dumanit drejtuar Kuvendit

Në dokument, SPAK kërkon që masat aktuale të sigurimit personal të Ballukut, ndalimi i daljes jashtë shtetit dhe pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik, të zëvendësohen me masa si arrest në burg ose arrest në shtëpi.

16 Dhjetor 2025, 17:58 Nga M.L

SPAK kërkoi heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut! ZBARDHET shkresa

TIRANA-  Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), përmes një shkrese zyrtare të firmosur nga kreu Altin Dumani, i ka drejtuar Kuvendit të Shqipërisë një kërkesë për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku. Në dokument, SPAK kërkon që masat aktuale të sigurimit personal të Ballukut, ndalimi i daljes jashtë shtetit dhe pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik, të zëvendësohen me masa si arrest në burg ose arrest në shtëpi.

Bashkë me kërkesën, Prokuroria ka dërguar edhe relacionin e arsyetuar me provat përkatëse, si dhe urdhër për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit të materialeve të procedurës.

Shkresa e SPAK tashmë pritet të shqyrtohet nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin më 19 dhjetor, dhe më pas do të kalojë për vendim në seancën plenare të Kuvendit.

SHKRESA E PLOTË:

I nderuar z. Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar Deputetë të Kuvendit,

Mbështetur në nenet 73, 95,103 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenet 260, 288, 289 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nenet 13 dhe 118, bashkëlidhur ju përcjellim kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ ministrit/ zëvendëskryeministrit Belinda BALLUKU, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit personal nga ajo e “Ndalimit të daljes
jashtë shtetit” e parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, e parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në atë të arrest në burg/në shtëpi, parashikuar nga nenet 238/237 të K.Pr.Penale, në kuadrin e procedimit penal nr.136 të vitit 2025, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Gjithashtu, në respektim të nenit 288, pika 2, të Kodit të Procedurës Penale, bashkëlidhur gjeni relacionin e arsyetuar, të shoqëruar me provat përkatëse, si dhe urdhrin për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit të akteve, datë 16.12.2025. Duke ju falenderuar për bashkëpunimin.

Altin DUMANI

SPAK kërkoi heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut! ZBARDHET shkresa

Zv.kryeministrja Belinda Balluku është marrë e pandehur për tenderin më vlerë 190 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, akuzë që i është komunikuar zyrtarisht dhe dyshohet edhe për tenderin 20 milionë euro të lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës. Për të dy tenderët, me vlerë 210 milionë euro, sipas SPAK, Balluku ka paracaktuar fituesin përmes mbikëqyrjes dhe ndërhyrjes gjatë gjithë procesit të zhvillimit të garës./ Dosja.al

spak altin dumani

Sondazh

Poll