Bota

 "Askush nuk është mbi ligjin"/ Reklamoi shtëpi të paligjshme, Spanja gjobit me 64 milionë euro platformën Airbnb

Kjo shkelje u përshkrua si serioze, në një kohë kur Spanja po kalon një krizë strehimi.

15 Dhjetor 2025, 14:19 Nga E.d
 "Askush nuk është mbi ligjin"/ Reklamoi shtëpi
Foto ilustruse

SPANJË- Qeveria spanjolle ka njoftuar një gjobë prej 64 milionë eurosh në platformën Airbnb për publikimin e reklamave për shtëpi të paligjshme. Kjo shkelje u përshkrua si serioze, në një kohë kur Spanja po kalon një krizë strehimi.

"Airbnb duhet të paguajë një gjobë prej 64,055,311 eurosh, e cila është përfundimtare", tha Ministria e Çështjeve të Konsumatorit në një deklaratë. Kjo duke shtuar se platforma me seli në Shtetet e Bashkuara tani duhet të korrigjojë mangësitë e identifikuara duke hequr përmbajtjen e paligjshme.

“Mijëra familje jetojnë në kushte pasigurie për shkak të krizës së strehimit, ndërsa disa po pasurohen falë modeleve ekonomike që po i dëbojnë njerëzit nga shtëpitë e tyre. Në Spanjë, asnjë kompani, pavarësisht sa e madhe është, nuk është mbi ligjin.” shpjegoi Ministri i Konsumatorit Pablo Bustinduy në deklaratë.

Mediat e huaja shkruajnë se Spanja priti rreth 94 milionë vizitorë në vitin 2024, duke e bërë atë destinacionin e dytë turistik më të popullarizuar në botë pas Francës. Ky rekord mund të tejkalohet në vitin 2025.

Por nëse turizmi është motori i ekonomisë, shumë spanjollë ankohen për mungesën e infrastrukturës, zhdukjen e bizneseve tradicionale që janë zëvendësuar nga dyqanet turistike dhe, mbi të gjitha, çmimet marramendëse të qirasë, ndërsa pronarët drejtohen te qiratë turistike, kryesisht përmes Airbnb, të cilat janë qartësisht më fitimprurëse.

Në përgjigje të shpërthimit të zemërimit, autoritetet lokale në shumë zona kanë njoftuar masa në muajt e fundit, në përputhje me kufizimet e vendosura nga autoriteti bashkiak i Barcelonës, i cili premtoi të mos rinovojë lejet e qirasë për afërsisht 10,000 akomodime turistike që skadojnë në nëntor 2028./Dosja.al

airbnb   64 milionë euro spanjë

Sondazh

Poll