Aktualitet

Kur puna të detyron të jesh njeri dhe pastaj gazetare

Ajo që nuk patë, është ajo që kamera nuk e kap: orët e gjata e rraskapitëse të punës, telefonatat pa fund, presionet, injorimi, shpesh edhe kërcënimet që merr një gazetar kur i futet një historie të tillë.

12 Dhjetor 2025, 21:38 Nga Jonida Mukja
Kur puna të detyron të jesh njeri dhe pastaj gazetare
Jonida Mukja

TIRANË- Unë jam Jonida Mukja. Prej XX vitesh punoj si gazetare te Piranjat. Këtë javë arritëm të mbyllim me sukses një investigim të vështirë, që u kthye pothuajse në një mision të pamundur – bashkimin e Afërditës me djalin e saj, pas 7 vitesh. Ajo që patë ju, është se sa e vështirë është të çosh të drejtën në vend edhe kur ke vendim gjykate, edhe kur ke të drejtë morale dhe biologjike. Ajo që nuk patë, është ajo që kamera nuk e kap: orët e gjata e rraskapitëse të punës, telefonatat pa fund, presionet, injorimi, shpesh edhe kërcënimet që merr një gazetar kur i futet një historie të tillë.

Dhe mbi të gjitha: indiferenca, ftohtësia, arroganca dhe papërgjegjshmëria e institucioneve – punën e të cilave shpesh na duhet ta bëjmë ne, gazetarët. Ditën e parë që takova Afërditën dhe mësova të vërtetën e saj të dhimbshme, i dhashë fjalën që do të shkoja me të deri në fund.

U nisa drejt Burrelit si gazetare.

Por gjërat ndryshuan, dhe vendin e gazetares e zuri gruaja–gazetare, nëna–gazetare. Udhëtim pas udhëtimi, gjithçka u kthye në një mision: bashkimin e nënës me djalin.

Kur ndodh ky proces, vendosemi përpara një dileme: a duhet të sillemi si gazetare apo si misionare?

Pa kompromentuar standardet e profesionit, a mund t’ia lejojmë vetes të ndiejmë empati për atë që lufton për të drejtën e mohuar?

Këtu te Piranjat ka gazetare që kanë mbajtur në shtëpitë e tyre viktima dhune; që kanë shpëtuar vajza të mitura nga kthetrat e abuzuesve, duke rrezikuar jo pak – në kohën kur institucionet heshtnin. Sonte do t’ju them diçka të dhimbshme, por të vërtetë: mes qindra mesazheve mbështetëse për Afërditën, më kanë ardhur dhjetëra mesazhe nënash që nuk i shohin prej vitesh fëmijët e tyre. Nëna që jeta i ka përplasur në dallgë të pamëshirshme dhe që kanë marrë mbi vete hakmarrjen e ish-partnerëve ose të familjarëve të tyre – aty ku një nëne i dhemb më shumë: te fëmija.

Me dhjetëra!

Edhe ato kërkojnë ndihmë. Për shumë njerëz, numri i gazetarit është më i rëndësishëm sesa ai i policisë. Sepse, ndryshe nga shumë institucione që mbyllen në orën 4 dhe nuk të hapin telefonin, gazetari nuk ka orar. Në këtë vend, telefoni i gazetarit është shpesh institucioni i vetëm që nuk pushon. Ne vijmë në punë çdo ditë në mëngjes dhe kthehemi vonë në darkë. Telefonatat, ankesat, problemet na ndjekin deri sa të mbyllim sytë. Kam XX vjet te Piranjat.

Kur na pyesin, themi “jemi në punë”. Por pas kaq vitesh, kjo pushon së qeni thjesht punë. Bëhet mision. Raste si ai i Afërditës kemi çdo javë. Disa duan muaj të tërë investigimi. Një pjesë nuk zgjidhen fare. Heshtja e institucioneve ose pushteti i keqbërësve është më i fortë se puna jonë. Por sot është një ditë e mirë. Një fëmijë do të flejë me nënën e vet. Është një nga ato pak net kur unë mund ta bëj gjumin e qetë. Derisa të vijë nëna tjetër./Piranjat.news

Sondazh

Poll