Politike

"Presionet" e Ramës ndaj Kushtetueses/ Berisha: Personeli i asaj gjykate është shantazhuar me video të ndaluara për përdorim

Gjatë një konference për mediat, Berisha u shpreh se personeli i gjykatës Kushtetuese është shantazhuar me video të ndaluara për përdorim.

12 Dhjetor 2025, 13:07 Nga E.d
"Presionet" e Ramës ndaj Kushtetueses/ Berisha: Personeli i asaj
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se dënon me forcën më të madhe ndërhyrjen e Edi Ramës në Gjykatën Kushtetuese. Gjatë një konference për mediat, Berisha u shpreh se personeli i gjykatës Kushtetuese është shantazhuar me video të ndaluara për përdorim.

Kjo sipas tij për t’u imponuar dorëheqje, për t’u imponuar largim. Lideri i opozitës tha se Gjykata Kushtetuese është në ditën më të vështirë për shkak të presioneve dhe kërcënimeve të shumanshme.

"Së dyti, dënoj edhe njëherë me forcën më të madhe si një akt të mirëfilltë antikushtetues, ndërhyrjet brutale të Edi Ramës në Gjykatën Kushtetuese për mbrojtjen e vetes së vet, në aparencë, Ballukut. Në fakt, ai mbron veten e tij. Tani, më duhet t’u rikujtoj shqiptarëve, por edhe atyre ndërkombëtarëve, të cilët janë të interesuar për të vërtetat në këtë vend. Në janar të vitit 2011, pas një video të manipuluar nga Edi Rama dhe Filip Çakulli, në të cilin në mënyrë false akuzonin Ilir Metën për një ryshfet, që nuk ishte kurrë i tillë, u faktua, prej 700 mijë eurosh, Ilir Meta, pa ardhur kërkesa nga prokuroria për hetim, për imunitet, ka dhënë dorëheqje nga zëvendëskryeministër dhe ka hequr dorë nga imuniteti. Në atë kohë, prokurore ishte Ina Rama, dhe në rastin tjetër para Ilir Metës, Fatmir Mediu ka dhënë dorëheqjen dhe heqjen e imunitetit. Lulzim Basha ka dorëzuar imunitetin.

Ndërsa Lubi Balluku as nuk jep dorëheqjen, as nuk shkarkohet, siç shkarkova unë Ilir Rusmalin. Po, absolutisht, me dokumente. Tjetër punë se në një akt njerëzie, u njoftua si dorëheqje. Jo, nuk ishte dorëheqje, sepse i vëllai i tij, të cilin unë e njihja, ishte kryetar i dhomës së eksporteve, kishte bërë presion ndaj drejtorit të përgjithshëm të burgjeve për një tender dhe e kishte kërcënuar. Ai e kishte regjistruar. Drejtori ishte një njeri i ndershëm. Dhe ministri, në vend që të dënonte vëllanë e tij që i kishte përmendur emrin, shkarkonte drejtorin që e kishte regjistruar. Dhe unë shkarkova ministrin. Ky është standardi normal. Por këto nuk duhet t’i mohojë se nuk shërbejnë, se duke mohuar këto, ja ku arritëm, kryeministër që bën avokatinë e ministrit të tij.

Gjykata Kushtetuese është në ditën më të vështirë për shkak të presioneve, kërcënimeve të shumanshme. Deklaroj këtu gjithashtu se sipas disa të dhënave, për personelin e asaj gjykate janë përdorur për komprometim edhe video absolutisht të ndaluara për përdorim. Po, për t’u imponuar dorëheqje, për t’u imponuar largim. Se tani, me këto regjistrime që bën Skapi, mund të ndodhë çdo gjë aty. Por kjo që u them është e sigurt. A e ka bërë Skapi apo ka ndonjë maniak që vë kamerat aty, këtë nuk e di. Por janë përdorur." tha Berisha./Dosja.al

sali berisha edi rama gjykata kushtetuese

Sondazh

Poll