Politike

Berisha: Paketa kundër shpopullimit kushton sa një e pesta e vjedhjeve të qeveritarëve në një vit

 Gjatë një konference për mediat, Berisha u shpreh se vjedhjet qeveritare në një vit, sipas KLSH janë mbi 1 miliard e 200 milionë lekë.

10 Dhjetor 2025, 13:29 Nga E.d
Berisha: Paketa kundër shpopullimit kushton sa një e pesta e vjedhjeve
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar ditën e sotme se paketa kundër shpopullimit kushton sa një e pesta e vjedhjeve të qeveritarëve në një vit. Gjatë një konference për mediat, Berisha u shpreh se vjedhjet qeveritare në një vit, sipas KLSH janë mbi 1 miliard e 200 milionë lekë.

Ai tha se këto janë një e pesta e vjedhjeve qeveritare. Nga zyra e selisë blu, Berisha tha se rruga Qukës-Qafë Plloçë kushtoi 370 milionë euro nga 73 milionë euro e planifikuar. Berisha tha se rruga Kardhiq-Delvinë e cila u ndërtua në 12 kilometrat e para, segmenti i tyre u shemb përsëri.

"Anisa, kjo faturë, në qoftë se ju lexoni KLSH-në, aktet e kontrollit të tyre, jo 1-vjeçare, 9-mujore, kjo faturë është një e katërta e vjedhjeve të qeveritarëve. Vjedhjet qeveritare në një vit, sipas KLSH, që nuk mund të jenë kurrë në thellësinë maksimale, janë mbi 1 miliard e 200 milionë. Këto janë më pak, këto janë një e pesta e vjedhjeve qeveritare. Absolutisht e mundshme. Por unë ndjej keqardhje të madhe kur shqiptarët, por veçanërisht media, nuk shtrojnë pyetjen se ku shkuan 67 miliardë euro të qytetarëve shqiptarë në 12 vite. Urdhëroni ku janë. Rruga Qukës- Qafë Plloçë, ku është rruga? 370 milionë euro nga 73 milionë euro e planifikuar. Rruga Korçë-Ersekë 17 km, se 18 i kishim ndërtuar ne me 800 mijë euro kilometri. E dini vetë sa shkuan. Ku është rruga? E shembur përsëri. Rruga Kardhiq-Delvinë, edhe ajo e ndërtuar në 12 kilometrat e para. Segmenti i tyre u shemb përsëri. Rruga e Arbrit. Dhe këto janë 67 milardë, se vetëm Lubia ka administruar 12 miliardë euro. Ku janë?

U them unë ju, për ta pasur një ide, autostrada Rrëshen-Morinë, hiq segmentin Milot-Rrëshen, superstrada Hani i Hotit-Shkodër, Shkodër-Muriqan, Shkodër-Velipojë, Milot- Fushë Krujë, Rrogozhinë-Lushnje-Fier, Levan-Vlorë, Levan-Tepelenë, Tepelenë-Gjirokastër, Korçë- Qafë Pllocë, Devoll- Korçë, 32 kilometra të Rrugës së Arbrit, rruga Orikum-Sarandë, rruga e bregut, rindërtimi i rrugës Pukë-Kukës, rrugë që u ngjitën në të gjitha majat e vendit, Gjirokastër-Çajup, Korçë-Vithkuq, Korçë-Liqeni i Prespës, Librazhd-Çermenikë, Kukës-Peshkopi, Kukës-Novosej, Tropojë-Valbonë, Hani i Hotit-Bogë, Hani i Hotit-Leqet e Hotit. Të gjitha këto së bashku dhe mijëra kilometra të tjera rrugë dytësore dhe tretësore kanë kushtuar absolutisht asnjë qindarkë më shumë se 5 miliardë euro. 12 miliardë Lubia. Pra, shikoni 11.300 kilometra rrugë janë ndërtuar me më pak 5 miliardë. Për të pasur të qartë shqiptarët se ç’gropë e zezë e tmerrshme ka qenë kjo qeveri." tha Berisha./Dosja.al

sali berisha opozita vjedhje

Sondazh

Poll