Aktualitet

Triumf i Teatrit Kombëtar

Në një festival, të realizuar me përkushtim mes teatrove shqiptare të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, TK doli si fitues i madh, duke dëshmuar se energjia e re dhe tradita e fortë mund të bashkëjetojnë në skenë me madhështi.

27 Nëntor 2025, 22:36 Nga DOSJA

Triumf i Teatrit Kombëtar

TIRANË- Teatri Kombëtar i Tiranës ka shkëlqyer në Festivalin Moisiu, duke u kthyer në kryefjalën e këtij edicioni me një triumf të padiskutueshëm: pesë çmime madhore që vulosin forcën artistike, vizionin krijues dhe standardin e lartë profesional të institucionit. Në një festival, të realizuar me përkushtim mes teatrove shqiptare të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, TK doli si fitues i madh, duke dëshmuar se energjia e re dhe tradita e fortë mund të bashkëjetojnë në skenë me madhështi.

“Si ta doni”, vepra e Shakespeare-it e sjellë me një lehtësi moderne dhe një estetikë të freskët, me refji te John Blondell, triumfoi duke marrë Çmimin e Madh – Shfaqja më e Mirë, një vërtetim i plotë se ky realizim shënon një moment kulmor artistik në repertorin e këtij sezoni. Vlerësimi i jurisë ishte i qartë: një shfaqje që ndërthur finesën regjisoriale, lojën inteligjente aktoriale dhe një qasje të guximshme ndaj një klasiku që publiku e priti me entuziazëm të jashtëzakonshëm.

Ndër çmimet individuale, Teatri Kombëtar regjistroi një tjetër arritje domethënëse:

– Kostumografia më e mirë – Blagoj Micevski, për krijimin e një universi vizual elegant dhe të përkorë;
– Kompozitori më i mirë – Endri Sina, për muzikën që i dha ritëm, atmosferë dhe shpirt skenës;
– Aktori i dytë më i mirë – Florian Agalliu, për interpretimin plot hijeshi dhe humor të zgjuar;
– Aktorja më e mirë protagoniste – Luli Bitri, për një rol që u kthye në pikën emocionale të shfaqjes, të ndërtuar me intensitet dhe delikatesë të rrallë.

Ky pesësh i jashtëzakonshëm çmimesh nuk është thjesht një sukses festivali, por një dëshmi e një periudhe të re për Teatrin Kombëtar – më energjik, më inovativ, më i hapur ndaj bashkëpunimeve dhe standardeve bashkëkohore. Me “Si ta doni”, TK konfirmoi nivel te larte artistik.

Triumfi në Festivalin Moisiu vjen si një mesazh i fortë: Teatri Kombëtar i Tiranës është sot një nga motorët më të fuqishëm të zhvillimit kulturor – një teatër që jo vetëm prodhon shfaqje të bukura, por krijon ngjarje.

Triumf i Teatrit Kombëtar

Sondazh

Poll