Politike

Mbahet sot seanca paraprake e Metës! GJKKO vendos nëse do kalojë apo jo për gjykim

Më parë, procesi gjithashtu ishte pezulluar pas kërkesës së avokatit të Metës për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga çështja.

27 Nëntor 2025, 09:15 Nga M.L
Mbahet sot seanca paraprake e Metës! GJKKO vendos nëse do kalojë
Ilir Meta

TIRANA- Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) zhvillohet sot seanca e radhës paraprake për dosjen ku janë të përfshirë Ilir Meta, Monika Kryemadhi dhe tre persona të tjerë. Seanca ishte shtyrë herën e kaluar për shkak të mungesës së avokatit Kujtim Cakrani.

Më parë, procesi gjithashtu ishte pezulluar pas kërkesës së avokatit të Metës për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga çështja.

Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t'i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.

Konkretisht, deputetja Kryemadhi po hetohej nga SPAK për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Gjykata la në fuqi më 23 tetor masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Kryemadhit, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash.

Ndërkohë ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, iu zëvëndësua masa e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Të tre të hetuarit nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK./ Dosja.al

gjkko ilir meta

Sondazh

Poll