Politike

"Muzika e tij bashkoi shqiptarët"/ Ndarja nga jeta e këngëtarit Shpat Kasapit, Kurti mesazh familjes: Ikje e papritur dhe e parakohshme, dhemb shumë

Kurti thekson se ikja e Shpat Kasapit, ishte e parakohshme dhe dhemb shumë. Më tej shton se muzika që ai krijoi bashkoi të gjithë shqiptarët dhe se kontributi i tij do mbetet i pashlyeshëm.

26 Nëntor 2025, 17:58 Nga E. D
"Muzika e tij bashkoi shqiptarët"/ Ndarja nga jeta e
Albin Kurt, Shpat Kasapi

TIRANË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar, pas ndarjes nga jeta të Shpat Kasapit. Me anë të një postimi, Kurti i ka dërguar një mesazh ngushëllues familjes së këngëtarit që humbi jetën sot pas një arresti kardiak në moshën 40-vjeçare. Kurti thekson se ikja e Shpat Kasapit, ishte e parakohshme dhe dhemb shumë. Më tej shton se muzika që ai krijoi bashkoi të gjithë shqiptarët dhe se kontributi i tij do mbetet i pashlyeshëm.

Reagimi i Kurtit:

Me zemër të rënduar pranova lajmin për ndarjen nga jeta të Shpatit. Një ikje e tillë, e papritur dhe e parakohshme, dhemb shumë dhe vjen si e padrejtë. Tingëllon edhe e pavërtetë, aq i ri ishte dhe gjithë atë energji e mbante dhe e rrezatonte.

Humbja e tij na ka prekur të gjithëve, pa marrë parasysh profesionet apo gjeneratat. Shumë breza të pasluftës janë rritur me figurën e tij dhe këngët emblematike. Ai ka mbajtur një vend të veçantë në zemrat e të gjithëve si një djalë punëtor, i qeshur, dhe mbi të gjitha, shumë karizmatik. Komuniteti artistik ka humbur njërin nga figurat më të dashura të tij, sepse secili prej tyre ka vetëm fjalë të mira për Shpatin. Muzika e tij ka arritur të bashkojë shqiptarë gjithandej botës, por më së shumti ka bashkuar shqiptarët e Kosovës e të Luginës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Ky kontribut i tij do të mbetet përherë i pashlyeshëm.

Ngushëllime gjithë familjes Kasapi, komunitetit artistik, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ngushëllime zonjës Gjylymser, zonjës Selvije dhe djalit Roel. Zoti u dhashtë forcën për të përballuar këtë humbje. Kryeministër i Republikës së Kosovës./Dosja.al

albin kurt shpat kasapi

Sondazh

Poll