Aktualitet

AlbChef zhvillon edicionin inaugural të “Muajit të Kuzhinës Shqiptare në Botë”

Gjatë gjithë muajit nëntor, aktivitetet do të zhvillohen në disa nga qytetet më të rëndësishme evropiane, mes tyre Roma, Athina, Berlini, Madridi, Shenzeni si edhe në qendra ku aktivitetet kanë përfunduar me sukses të plotë si Kopenhaga,Torino dhe Zagrebi.

24 Nëntor 2025, 16:32 Nga DOSJA

AlbChef zhvillon edicionin inaugural të “Muajit të Kuzhinës

Platforma AlbChef, e cila bashkon profesionistë shqiptarë të kulinarisë dhe hotelerisë në mbarë globin, shpall zyrtarisht organizimin e edicionit të parë të “Muajit të Kuzhinës Shqiptare në Botë”. Ky program ndërkombëtar synon të sjellë në qendër të vëmendjes traditën gastronomike shqiptare dhe të forcojë lidhjet mes ekspertëve të industrisë brenda dhe jashtë vendit.

Gjatë gjithë muajit nëntor, aktivitetet do të zhvillohen në disa nga qytetet më të rëndësishme evropiane, mes tyre Roma, Athina, Berlini, Madridi, Shenzeni si edhe në qendra ku aktivitetet kanë përfunduar me sukses të plotë si Kopenhaga,Torino dhe Zagrebi. Në kuadër të këtyre ngjarjeve, shefa të njohur shqiptarë nga Shqipëria, rajoni dhe diaspora do të ofrojnë menu të veçanta që bashkojnë teknikën bashkëkohore me traditën autentike shqiptare, duke nxjerrë në pah vlerën dhe origjinalitetin e produkteve vendase.

“Muajit i Kuzhinës Shqiptare në Botë” synon të zgjerojë praninë ndërkombëtare të kuzhinës shqiptare, të forcojë imazhin kulturor të vendit dhe të krijojë ura bashkëpunimi mes profesionistëve të kulinarisë. Me këtë nismë, AlbChef e pozicionon gastronominë shqiptare si një mjet të rëndësishëm të diplomacisë kulturore dhe një forcë nxitëse për zhvillimin e turizmit gastronomik.

Programi përfshin darka tematike, degustime, evente “pop-up” dhe prezantime të produkteve shqiptare, duke ofruar një përvojë gjithëpërfshirëse të shijeve tona tradicionale dhe të interpretimeve moderne. Çdo aktivitet synon të kontribuojë në ndërtimin e një perceptimi të ri për Shqipërinë si një destinacion me trashëgimi të pasur dhe potencial të lartë në turizmin kulinar.

Sipas organizatorëve të AlbChef, ky edicion i parë është një mundësi e vyer për të forcuar rrjetet profesionale të komunitetit shqiptar në botë dhe për të rritur dukshmërinë e kulinarisë sonë në skenën ndërkombëtare. “Përmes ushqimit, ne përcjellim kulturën dhe historinë tonë në mënyrën më të sinqertë dhe më të kuptueshme,” theksohet në komunikatën zyrtare.

Të gjithë të interesuarit mund të ndjekin programin, datat dhe vendndodhjet e aktiviteteve në faqen zyrtare www.albchef.com ,ku do të publikohen të gjitha detajet. Kjo nismë shënon një hap të rëndësishëm drejt afirmimit global të gastronomisë shqiptare dhe promovimit të saj si pjesë e pandashme e trashëgimisë kulturore kombëtare.

Sondazh

Poll