Politike

Kërkon lirimin nga qelia, Apeli i GJKKO shtyn seancën për Ilir Metën në 14 nëntor

Mësohet se shkak për shtyrjen e seancës u bë kërkesa e paraqitur nga mbrojtja për përjashtimin e gjyqtares Saida Dollani.

11 Nëntor 2025, 10:41 Nga I.A
Kërkon lirimin nga qelia, Apeli i GJKKO shtyn seancën për Ilir
Ilir Meta

TIRANË- Seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme të Apelit, ku do të shqyrtohej kërkesa e Ilir Metës për shuarjen e masës së sigurisë është shtyrë. Mësohet se shkak për shtyrjen e seancës u bë kërkesa e paraqitur nga mbrojtja për përjashtimin e gjyqtares Saida Dollani.

Sipas avokatit Cakrani, gjyqtarja nuk mund të gjykojë të njëjtin person për dy kërkesa të ndryshme, pasi muajin e kaluar ka qenë po ajo që ka shqyrtuar çështjen për revokimin e masës së sigurisë, ku vendosi mospranimin e kërkesës. Në këto kushte, trupa gjykuese vendosi që seanca e radhës të mbahet më datë 14 nëntor, në orën 09:00.

Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t'i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.

Konkretisht, deputetja Kryemadhi po hetohej nga SPAK për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Gjykata la në fuqi më 23 tetor masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Kryemadhit, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash.

Ndërkohë ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, iu zëvëndësua masa e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Të tre të hetuarit nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK/Dosja.al

ilir meta

Sondazh

Poll