Politike

"Qindra studentë në pamundësi për tu punësuar"/ PD: Universiteti i Sporteve, fabrikë diplomash të pavlefshme me bekimin e Ministrisë

Gjatë një deklarate zyrtare nga zyrat e selisë blu, Sula u shpreh se në Universitetin e Sporteve të Tiranës ofrohen programe studimi, diplomat e të cilëve nuk njihen për të ushtruar profesionin.

7 Nëntor 2025, 11:30 Nga E.d
"Qindra studentë në pamundësi për tu
Lili Sula

TIRANË- Drejtuesja e departamentit të arsimit të PD, Lili Sula ka deklaruar se Universiteti i Sporteve është një "fabrikë" diplomash të pavlefshme, për studentët. Gjatë një deklarate zyrtare nga zyrat e selisë blu, Sula u shpreh se në Universitetin e Sporteve të Tiranës ofrohen programe studimi, diplomat e të cilëve nuk njihen për të ushtruar profesionin. Ajo tha se programi i i studimit në Bachelor është 95 % i njëjtë me programin e Fizioterapisë dhe se vetëm në Shqipëri ndodh që programe të shkencave mjeksore, të ofrohen në një institucion sporti.

Sula deklaroi se qindra studentë të Fakultetit të Shkencave të Rehabilitimit të US, kanë dalë në protestë, pasi me diplomat e lëshuara nga ky universitet, ata nuk mund të punësohen. Në fund, drejtuesja e departamentit të arsimit të PD, Sula tha se PD i kërkon Ministrisë së Arsimit që të marrë masat ligjore ndaj drejtuesve përgjegjës, të verifikojë dhe vlerësojë në mënyrë objektive organizimin dhe funksionimin e veprimtarisë akademike të këtij institucioni dhe të gjejë zgjidhje ligjore që diplomat e lëshuara deri më tani për studentët, të mund të bëhen të vlefshme.

Deklarata e drejtueses së departamentit të arsimit në PD, Lili Sula

Në Universitetin e Sporteve të Tiranës, institucion që financohet nga taksat e qytetarëve, prej disa vitesh ofrohen programe studimi, diplomat e të cilëve nuk njihen për të ushtruar profesionin dhe mundësi punësimi. Ditët e fundit, qindra studentë të Fakultetit të Shkencave të Rehabilitimit të US, kanë dalë në protestë, pasi me diplomat e lëshuara nga ky universitet, ata nuk mund të punësohen. Studentët e diplomuar në këtë Fakultet, pas mundimeve disa vjeçare në auditorë, përballjes me tarifa të larta, me vështirësi të shumta e abuzime të përsëritura brenda këtij institucioni, në vend të një diplome të merituar dhe të vlefshme, mbajnë në dorë një copë kartoni, tërësisht të pavlerë. Programi i studimit në Bachelor është 95 % i njëjtë me programin e Fizioterapisë, dhe si e tillë i përket Institucioneve të Arsimit të Lartë që zhvillojnë programe studimi të fushës së shkencave mjekësore dhe ose tekniko shkencore dhe aspak atyre për edukim fizik e sporte. Që programe studimi të fushës së shkencave mjekësore, të ofrohen në një institucion sporti, kjo vetëm në Shqipëri mund të ndodhë! Shkeljet, abuzimet dhe shpërdorimet e financave dhe të besimit të publikut që ndodhin në këtë Universitet, nuk kanë të ndalur! 

Kujtojmë që Fakulteti i Shkencave të Rehabilitimit, që ka ofruar këto pseudo-diploma, vijon të drejtohet nga Robert Çima, i cili vetëm para pak kohësh është denoncuar nga media për shpërdorim flagrant të detyrës, ndërkohë që Rektori i Universitetit, në vend që të merrte masat sipas ligjit, gënjente publikun dhe vijon me pagesat e përmuajshme të plota të këtij Dekani. E gjithë kjo situatë, me pasoja për studentët, tregon degradimin që ndodh në Universitetet tona. Gjithashtu, kjo situatë, tregon se sa selektive, klienteliste, korruptuese dhe të pabesueshme janë procedurat e licencimit dhe të akreditimit të institucioneve dhe të programeve të studimit. Si ka mundësi që Ministria e Arsimit, që ka miratuar hapjen e këtij Fakulteti dhe të këtyre programeve studimi, nuk është në dijeni që ato i përkasin fushave të studimit të Shkencave Mjekësore dhe jo atyre të Sportit?! Specialistët, teknikët e lartë dhe studiuesit e fushës së shkencave mjekësore, formohen e zhvillohen në institucione dhe struktura akademike të fushës së Mjekësisë dhe jo të Edukimit Fizik e Sportit. Kush mban përgjegjësi për këtë shkelje të ligjit në hapjen e Fakultetit të Shkencave të Rehabilitimit dhe programeve të studimit në Universitetin e Sporteve? Partia Demokratike duke përshëndetur denoncimin dhe protestën e studentëve, i bën thirrje Ministrisë së Arsimit që: të ndalojë menjëherë vijimin e mëtejshëm të këtij shpërdorimi në Universitetin e Sporteve dhe të marrë masat ligjore ndaj drejtuesve përgjegjës, të verifikojë dhe vlerësojë në mënyrë objektive organizimin dhe funksionimin e veprimtarisë akademike të këtij institucioni, të gjejë menjëherë zgjidhjen ligjore që diplomat e lëshuara deri më tani për studentët, të mund të bëhen të vlefshme./Dosja.al

lili sula pd us

Sondazh

Poll