Aktualitet

"Dosjet janë të gjitha të rëndësishme", Dumani: SPAK nuk ndjek axhendë politike në ndjekjen penale të funksionarëve të lartë

Gjatë një interviste në emisionin “Trialog”, ai theksoi se çdo çështje që trajton Prokuroria e Posaçme ka rëndësi të lartë, pasi përcaktohet nga natyra e juridiksionit që mbulon ky institucion.

5 Nëntor 2025, 22:32 Nga M.L
"Dosjet janë të gjitha të rëndësishme",
Altin Dumani

TIRANAKreu i SPAK, Altin Dumani, ka folur për funksionimin dhe prioritetet e institucionit që drejton. Gjatë një interviste në emisionin “Trialog”, ai theksoi se çdo çështje që trajton Prokuroria e Posaçme ka rëndësi të lartë, pasi përcaktohet nga natyra e juridiksionit që mbulon ky institucion.

Dumani nënvizoi se fokus i SPAK mbeten rastet që përfshijnë korrupsionin në nivele të larta, krimin e organizuar dhe veprimtaritë terroriste. Ai sqaroi se ndjekja penale zhvillohet pa asnjë ndikim politik dhe se trajtimi i dosjeve bëhet në mënyrë të barabartë, pavarësisht funksionit apo postit që mban personi i hetuar.

Sipas tij, ka raste kur hetimet zhvillohen me masa sigurie, por edhe të tjera kur personat procedohen në gjendje të lirë, në varësi të provave dhe rrethanave të çdo dosjeje. Dumani theksoi se SPAK ka treguar në mënyrë të qëndrueshme se nuk ndikohet nga përkatësitë politike apo pozicionet publike të personave nën hetim.

“Meraku im ka qenë të kemi një hetim shterues dhe objektiv. Të sigurohen provat e mjaftueshme për të marrë vendim fajësie në gjykatë, si dhe respektimi i të drejtave të pandehurve në proces, por dhe të viktimave.

...

Ne nuk kemi axhendë politike dhe si institucion para se të ngrejmë një akuzë apo para se t’i drejtohemi gjykatës me kërkesë për caktim mase, nuk matim temeperaturat politike. Çdo prokuror i posaçëm fokusohet te provat dhe nëse provat janë mjaftueshme dhe nëse përcaktohen edhe kriteret apo kushtet për të caktuar një masë sigurimi ne i drejtohemi gjykatës dhe ju prezantoni rastet të cilët janë hetuar me masë sigurimi por ka raste të tjera që hetohen në gjendje të lirë pavarësisht përkatësive politike.

Ai vuri në dukje se SPAK nuk sheh “me përkatësi politike. Ka plot raste të tjera që hetohen në gjendje të lirë dhe tjetra; nuk është i vërtetë konstatimi juaj që ne ushtrojmë ndjekjen penale që janë zhveshur nga pushteti edhe nga ato që përmendët ju që prokuroria e Posaçme ka ushtruar ndjekjen penale duke marrë të pandehur apo duke kërkuar masë sigurimi për persona që kanë qenë në krye të detyrës”, tha Dumani./ Dosja.al

altin dumani spak

Sondazh

Poll