Politike

Ngërçi në Kosovë! Glauk Konjufca mandatohet nga presidentja Osmani për të formuar qeverinë e re të Kosovës

Sipas Kushtetutës, mandatati ka afat 15 ditë për t’i prezantuar Kuvendit përbërjen e re të ekzekutivit që duhet të marrë mbështetjen e të paktën 61 deputetëve për t’u zgjedhur.

4 Nëntor 2025, 19:30 Nga M.L
Ngërçi në Kosovë! Glauk Konjufca mandatohet nga
Foto ilustruese

KOSOVË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se ka mandatuar Glauk Konjufcën nga Lëvizja Vetëvendosje, për të formuar Qeverinë e re të Kosovës. Sipas Kushtetutës, mandatati ka afat 15 ditë për t’i prezantuar Kuvendit përbërjen e re të ekzekutivit që duhet të marrë mbështetjen e të paktën 61 deputetëve për t’u zgjedhur.

Në një konferencë për media, Osmani tha se sot zhvilloi takime edhe me krerët e partive të tjera më të mëdha, të cilët i thanë se nuk dëshirojnë të propozojnë mandatar.

Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti më herët gjatë ditës e propozoi Konjufcën për mandatar për Qeverinë e re të Kosovës, duke dërguar emrin e tij për mandatim te presidentja.

Konjufca tha se dëshiron bashkëpunim me partitë shqiptare të përfaqësuara në Kuvend, por jo koalicion.

Ai tha se me zgjedhjen e një qeverie të re të udhëhequr nga ai do të shmangej mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve në dhjetor, në mënyrë që vendi të mos ketë dy palë zgjedhje për një periudhë të shkurtër, pasi në prill duhet të zgjidhet presidenti i ri i vendit.

Konjufca tha se qeveria e tij do të miratonte buxhetin e ri të vendit, të ratifikonte marrëveshje për Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian dhe do të adresonte çështje të tjera urgjente.

Kreu i LVV-së, Albin Kurti, tha se nuk e sheh as si “mundësi teorike” mundësinë e ndonjë koalicioni për Qeverinë me partitë e tjera shqiptare, për shkak të mosbashkëpunimit të tyre.

Është ndërtuar urrejtje hibride ndaj meje nga disa elementë të opozitës. Tash nuk jam unë. Le ta dëshmojnë se interesi i shtetit është mbi interesin partiak”, tha Kurti gjatë një konference për media mbrëmjen e 4 nëntorit.

Partitë e tjera shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kanë kërkuar që Osmani të shpallë zgjedhje të reja.

Albin Kurti, si udhëheqës i partisë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit, më 26 tetor dështoi të merrte mbështetjen e Kuvendit për formimin e ekzekutivit. Partia e tij i ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk ka siguruar ulëse të mjaftueshme në Kuvend që do t’i mundësonin që të formonte Qeverinë pa bashkëpunim me partitë e tjera.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, PDK-ja ka fituar 24 ulëse, LDK-ja 20, AAK-ja pesë dhe tre deputetë ka Nisma Socialdemokrate, që në zgjedhje garoi në listë të përbashkët me AAK-në. Lista Serbe ka nëntë nga dhjetë ulëset e garantuara për minoritetin serb, një e ka partia e Nenad Rashiqit dhe dhjetë ulëse të tjera i kanë fituar përfaqësuesit e minoriteteve të tjera./Dosja.al

glauk konjufca vjosa osmani qeveria e re e kosoves

Sondazh

Poll