Aktualitet

Policia e Kosovës: Xhandarmëria serbe ka plagosur dhe rrëmbyer një serb në Leposaviç

Sipas autoriteteve, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në një zonë të njohur si “pika zero”, që ndodhet pranë kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

3 Nëntor 2025, 16:16 Nga M.L
Policia e Kosovës: Xhandarmëria serbe ka plagosur dhe rrëmbyer
Foto ilustruese

KOSOVA- Policia e Kosovës ka bërë të ditur se më 1 nëntor ka marrë një informacion lidhur me një incident të ndodhur në zonën kufitare të Leposaviqit, ku dyshohet se një shtetas i Kosovës, me kombësi serbe, është plagosur dhe më pas është rrëmbyer nga pjesëtarë të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Kosovës. Sipas autoriteteve, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në një zonë të njohur si “pika zero”, që ndodhet pranë kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Për rastin është njoftuar edhe KFOR-i, i cili ka përgjegjësi për sigurinë në këtë brez kufitar. Personi i plagosur është identifikuar me inicialet M.V., ndërsa dëshmitarë të pranishëm kanë pohuar se ai është transportuar me autoambulancë në drejtim të qytetit të Nishit, në Serbi. Policia e Kosovës ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

“Me datën 01.11.2025, Policia e Kosovës, ka pranuar një informacion se në zonën e Leposaviqit, një person (M. V.), shtetas i Republikës së Kosovës, (i nacionalitetit serb), dyshohet se është plagosur dhe është rrëmbyer brenda territorit të Republikës së Kosovës, nga xhandarmeria serbe.

Vendi i ngjarjes ku raportohet se ka ndodhur rasti dyshohet se gjendet brenda territorit të Republikës së Kosovës, pra brenda hapësirës (siç quhet pika zero -0-), në afërsi të zonës së Leposaviqit, në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ku për këtë Policia e Kosovës ka njoftuar dhe ka bashkëpunuar me KFOR-in, si përgjegjëse për zonën/brezin kufitar”, njofton policia./ Dosja.al

xhandarmeria serbe policia e kosoves

Sondazh

Poll