Aktualitet

Konferenca Shkencore Mbarëkombëtare për Muzikën Shqiptare

Kjo Konference shkencore u realizua nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Fakultetin e Muzikës të Universitetit të Arteve, Tiranë.

3 Nëntor 2025, 11:49 Nga Dr. Denis Bizhga

Konferenca Shkencore Mbarëkombëtare për Muzikën Shqiptare

TIRANË- Në ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u zhvillua në 30 tetor, konferenca shkencore mbarëkombëtare “Muzika shqiptare si krijimtari, interpretim, muzikologji dhe edukim artistik”, një ngjarje e rëndësishme që bashkoi muzikologë, kompozitorë, pedagogë e studiues nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Kjo Konference shkencore u realizua nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Fakultetin e Muzikës të Universitetit të Arteve, Tiranë.

Në qendër të diskutimeve qëndruan politikat kulturore, statusi i artistit dhe nevoja për një strategji kombëtare të zhvillimit të muzikës shqiptare. Kjo është herë e parë pas 35 vitesh që komuniteti muzikor shqiptar bashkohet dhe flet me një zë të vetëm, duke dëshmuar se dialogu dhe bashkëpunimi janë rruga drejt zhvillimit.

Ndertimi i politikave muzikore afatgjate dhe në rang kombëtar, është një prioritet i cili rrjedh si domosdoshmëri e projektimit të Shqipërisë Europiane. Përafrimi në praktika dhe ligjeslacion, është hapi i parë që kërkon ekspertize serioze nga profesionist të fushës duke patur parashy të gjitha hallkat e ndërtimit të artit muzikor në vend.

Kjo konferencë synon të krijojë ura bashkëpunimi midis institucioneve dhe krijuesve, për të ndërtuar një platformë të qëndrueshme për muzikën shqiptare,” – u shpreh Akad. Prof. Dr. Vasil S. Tole, kryetar i Komisionit të Përhershëm të Arteve pranë Akademisë së Shkencave.

Dekani i Fakultetit të Muzikës, Prof. Arben LLozi, në kumtesën e tij :” "Mbi perspektivën e muzikës dhe interpretuesve të muzikës në Shqipëri", do të vinte theksin në hapjen e qëndrave dhe institucioneve të reja muzikore në vend duke patur parasysh shembujt më të mirë europian të shteteve si Franca, Gjermania, ku një shkollë muzike hapet në një dëndësi popullsie prej 70-80 mije banorësh. “Këto institucione do të ishin dhe një burim punësimi për muzikantët e rinj” - do të shprehej ai. Një tjetër temë e rëndësishme ishte edukimi muzikor, ku u kërkua rikthimi i lëndës së muzikës me dy orë në javë në arsimin 9-vjeçar.

Nga përmbledhja e ligjeratave, dolën disa përfundime të cilat u përmblodhën në rekomandime për t’ju drejtuar institucioneve politikbërëse në vend, si një strategji për zhvillimin e politikave muzikore. Qëllim është forcimi i mbështetjes për krijimtarinë, interpretimin dhe edukimin muzikor në vend.

“Muzika duhet të jetë pjesë e jetës së përditshme dhe zhvillimit të qëndrueshëm kulturor. Pa muzikë nuk mund të ketë identitet kombëtar,” – u theksua nga pjesëmarrësit.

Ngjarja u vlerësua si një moment i rëndësishëm duke shënuar hapin e parë drejt ndërtimit të një platforme të qëndrueshme kombëtare për zhvillimin e muzikës dhe artistit shqiptar.

Në përbërje të komitetit organizativ të konferencës ishin Akad. Prof. Dr. Vasil Sofokli Tole , Prof. Arben LLozi Prof.ass.Dr. Rovena Vata Mikeli Prof.Ass Armira Kapxhiu Dr. Denis Bizhga.

Në linkun e mëposhtëm gjeni REKOMANDIMET:

https://www.vasiltole.com/wp-content/uploads/2025/10/rekomandime%20fund.pdf

 

denis bizhga

Sondazh

Poll