Politike

"Qofsh i parajsës"/ Ndarja nga jeta e Fatos Nanos, Majko: Doli nga pushteti me titullin ‘njeri’

Majko shkruan gjithashu se ka plot politikanë që do të mbahen mend nga servilët e tyre por Nano nuk ishte kjo kategori. 

31 Tetor 2025, 18:11 Nga E. D
"Qofsh i parajsës"/ Ndarja nga jeta e Fatos Nanos, Majko: Doli
Fatos Nano, Pandeli Majko

TIRANË- Ish-deputeti i PS-së Pandeli Majko ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Fatos Nano. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Majko shkruan se Nano si çdo njeri me pushtet kërkoi nga jeta gjëra që nuk janë në “menu”. Majko shkruan gjithashu se ka plot politikanë që do të mbahen mend nga servilët e tyre por Nano nuk ishte kjo kategori. 

Postimi i plotë i Majkos:

Fatos Nano ka ndërruar jetë!… Përpara se të ishte drejtues i Partisë Socialiste, Fatosi, ishte djali i Maries dhe i Thanasit! Ai ishte një vlla i mirë dhe prind i dhimbsur! Në politikë, Fatos Nano nuk tentoi ti shpëtonte asaj që ishte!

Si çdo njeri me pushtet, ai kërkoi nga jeta gjëra që nuk janë në “menu”! Në rrugëtimin e jetës së tij, ai i provoi të gjitha, ku burgosja si drejtues i PS në opozitë, ishte momenti më i vështirë, por edhe më i lartë i veprimtarisë së tij si politikan dhe njeri!

Në politikë, pushteti është i shpërndarë mes njerzve që e meritojnë dhe njerzve që e adhurojnë! Fatosi do mbahet mend për rregullat që theu! Ai ishte produkt i kohës që jetoi! Në konkluzionin njerëzor të jetës, të gjithë dështojnë të jenë ata që duan! Ndaj çdo njeri nuk mund të gjykohet vetëm nga gabimet që ka bërë! Fatosi nuk ishte një përjashtim!

Historia ka plot politikanë që do të mbahen mend nga servilët e tyre! Fatosi nuk ishte kjo kategori! Kundërshtarët e tij, mund të mbështeteshin tek ai për të vepruar me dinjitet. Pushteti, është shfaqja më e vjetër, por edhe irracionale e natyrës njerëzore. Fatosi doli prej saj me titullin “njeri”!

Djali i Maries dhe i Thanasit nuk është më! U end pak kohë, midis dy botëve, duke bërë “negociatën” e fundit! Beteja e fundit midis “kush je” me “çfarë je”! Dheu i lehtë Fatos! Qofsh i parajsës!/Dosja.al

pandeli majko

Sondazh

Poll