Politike

Komisioni i Venecias: Pezullimi ose zëvendësimi i kryetarëve të bashkive të paraburgosur shkel autonominë vendore

Raporti kritikon çdo ndërhyrje të qeverisë qendrore që zëvendëson kryetarët e zgjedhur, duke theksuar se kjo duhet të jetë një masë jashtëzakonshme, e bazuar në ligj dhe me garanci të plota procedurale, për të shmangur politizimin dhe arbitraritetin.

30 Tetor 2025, 13:09 Nga I.A

Komisioni i Venecias: Pezullimi ose zëvendësimi i kryetarëve

TIRANË- Komisioni i Venecias ka publikuar raportin e tij mbi ndikimin e paraburgimit paraprak të kryetarëve të bashkive në ushtrimin e qeverisjes demokratike vendore dhe zëvendësimin e tyre. Sipas raportit të Komisionit të Venecias praktika të tilla cenojnë autonominë vendore dhe vullnetin e zgjedhësve.

Raporti kritikon çdo ndërhyrje të qeverisë qendrore që zëvendëson kryetarët e zgjedhur, duke theksuar se kjo duhet të jetë një masë jashtëzakonshme, e bazuar në ligj dhe me garanci të plota procedurale, për të shmangur politizimin dhe arbitraritetin.

"Ndikimi i paraburgimit të kryetarëve të bashkive është i dyfishtë: ai mund të ndikojë jo vetëm mbi të drejtat individuale të kryetarit të prekur, por gjithashtu shtrihet përtej individit dhe ndikon mbi të drejtat e zgjedhësve, zgjedhja e të cilëve, e shprehur në mënyrë demokratike përmes votës, mund të dëmtohet përmes emërimit të një kryetari bashkie që nuk përputhet me vullnetin e tyre zgjedhor.

Në mënyrë të drejtpërdrejtë, paraburgimi mund të pengojë ndërveprimin publik dhe shprehjen e ideve, duke shtypur fjalën politike dhe aktivitetin përfaqësues të zgjedhurve vendorë. Në mënyrë të tërthortë, ai dekurajon aktorët publikë dhe qytetarët nga pjesëmarrja në mbledhje politike apo protesta, për shkak të frikës nga ndëshkimi përshkak të shoqërimit ose të hakmarrjes politike.

Paraburgimi ose pezullimi i përfaqësuesve vendorë mund të interpretohet si një cenim i garancive institucionale të vetëqeverisjes vendore të paktën në dy aspekte kryesore. Sëpari, ai ndërhyn në ushtrimin e lirë të mandatit (neni 7(1)) duke privuar zyrtarët e zgjedhur nga aftësia për të përfaqësuar zgjedhësit e tyre. Së dyti, ai pengon të drejtën e qytetarëve për të përcaktuar interesat e tyre përmes të zgjedhurit prej tyre (neni 3(2)), duke gërryer kështu karakterin përfaqësues të demokracisë vendore," thuhet në raport.

Një nga qëndrimet më të forta të raportit lidhet me mekanizmin e zëvendësimit të kryetarëve nga qeveria. Ekspertët theksojnë se praktikat e tilla mund të dëmtojnë besimin e qytetarëve te institucionet dhe të minojnë vetë demokracinë vendore.

“Zëvendësimi i kryetarëve të zgjedhur të bashkive me të emëruar nga qendra praktikisht shkel vullnetin e elektoratit, duke gërryer themelet e demokracisë vendore… dhe bie ndeshme ndarjen vertikale të pushteteve. Komisioni i Venecias ka kritikuar në mënyrë të vazhdueshme praktikën e zëvendësimit të kryetarëve të bashkive nga qeveria qendrore, duke vlerësuar se kjo përbën një shkelje të nenit 3(1) të Kartës,” thuhet në raport./Dosja.al

komisioni i venecias

Sondazh

Poll