Aktualitet

Nayara Ferreira u pezullua nga FSHV-ja për shkak të dyshimeve për gjininë / Xheni Karaj: Vendim i turpshëm, diskriminues dhe çnjerëzor

Me anë të një postimi në Facebook, Karaj shkruan se prej dy javësh Nayara është vënë nën sulm dhe në vend që Federata Shqiptare e Volejbollit të mbronte sportisten, ajo zgjodhi ta dënojë, duke e pezulluar pa asnjë provë, pa asnjë proces transparent, dhe pa asnjë arsye objektive.

28 Tetor 2025, 20:02 Nga E. D
Nayara Ferreira u pezullua nga FSHV-ja për shkak të dyshimeve për
Xheni Karaj

TIRANË- Xheni Karaj aktivistja për të drejtat e komunitetit LGBT, ka reaguar, pasi sportistja Nayara Ferreira, u pezullua nga Federata Shqiptare e Volejbollit, pasi iu kërkuar testi i gjinisë. Me anë të një postimi në Facebook, Karaj shkruan se prej dy javësh Nayara është vënë nën sulm dhe në vend që Federata Shqiptare e Volejbollit të mbronte sportisten, ajo zgjodhi ta dënojë, duke e pezulluar pa asnjë provë, pa asnjë proces transparent, dhe pa asnjë arsye objektive.

Aktivistja për të drejtat e komunitetit LGBT thekson se ky vendim është i turpshëm, diskriminues dhe çnjerëzor.  Sipas saj, ai nuk bazohet në rregullore, por në thashetheme dhe paragjykim. Karaj thotë gjithashtu se kjo që po ndodh nuk është vetëm një çështje sportive është një test për shoqërinë tonë, për mënyrën si e trajtojmë dinjitetin e tjetrit dhe si i qëndrojmë besnikë vlerave të barazisë dhe njerzillëkut.

Reagimi i Xheni Karaj

Jam thellësisht e tronditur dhe e zemëruar nga mënyra se si po trajtohet sportistja Nayara, një grua që ka dhënë gjithë jetën e saj për sportin dhe për dashurinë ndaj volejbollit. Nayara ka nisur të luajë volejboll që në moshën 12 vjeçare dhe që prej asaj kohe ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme, duke luajtur për disa nga ekipet më të mira në botë; në Brazil, Francë, Spanjë, Portugali, Çeki dhe Arabi Saudite.

Prej dy muajsh ajo është pjesë e Dinamos, ku ka spikatur menjëherë për talentin, profesionalizmin dhe përkushtimin e saj. Falë punës dhe aftësive të saj të jashtëzakonshme, Dinamo sot renditet e para në kampionat.
Por në vend që të festojmë suksesin e një gruaje që i jep sportit shqiptar dinjitet, ajo po përballet me poshtërim publik. Prej dy javësh Nayara është vënë nën sulm nga disa skuadra kundërshtare mes tyre Pogradeci dhe Vllaznia që kanë hedhur akuza të ulëta për identitetin e saj gjinor, akuza që burojnë nga xhelozia për aftësitë dhe performacën e saj. Dhe në vend që Federata Shqiptare e Volejbollit të mbronte sportisten, ajo zgjodhi ta dënojë, duke e pezulluar pa asnjë provë, pa asnjë proces transparent, dhe pa asnjë arsye objektive.

Ky vendim është i turpshëm, diskriminues dhe çnjerëzor. Ai nuk bazohet në rregullore, por në thashetheme dhe paragjykim. Dhe ajo çka është edhe më e rëndë, privatësia e Nayaras u shkel publikisht, me lajme që u përhapën në media duke i shkaktuar dëm emocional, psikologjik dhe moral një njeriu që nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka dashur të luajë sportin që do.

Kjo që po ndodh nuk është vetëm një çështje sportive është një test për shoqërinë tonë, për mënyrën si e trajtojmë dinjitetin e tjetrit dhe si i qëndrojmë besnikë vlerave të barazisë dhe njerzillëkut. U bëj thirrje institucioneve shqiptare, përfshirë Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Avokatin e Popullit të reagojnë dhe të marrin masa administrative. Po ashtu, i bëj thirrje Federatës Europiane të Volejbollit të marrë masa ndaj këtij akti të papranueshëm, sepse sporti nuk mund të kthehet në arenë paragjykimesh dhe allishverishesh korruptive.

Sot, Nayara nuk duhet të jetë e vetme. Ajo përfaqëson çdo grua që është gjykuar, çdo vajzë që është përjashtuar, çdo person që është poshtëruar për atë që është. Ajo është zëri i dinjitetit dhe i guximit për të mos u dorëzuar përballë padrejtësisë. Prandaj sot, i ftoj të gjithë sportistë, qytetarë, gra, burra, organizata, institucione, gazetarë dhe çdo njeri që beson në drejtësi e njerzillëk të ngremë zërin kundër diskriminimit dhe turpit që po i bëhet Nayaras.

Po e mbyll me një mesazh që Nayara ndau ditën e sotme:
"Ka qenë e tmerrshme dhe e vështirë, por njerëzit do të pendohen për këtë padrejtësi që më kanë bërë.Sepse unë jam thjesht një vajzë, e lirë, që ushtron të drejtën për të qenë vetvetja për t’u veshur, për të vepruar dhe për të jetuar ashtu siç ndihem mirë dhe më e vërtetë.

Jam një grua e fortë, me shumë vështirësi pas shpine, por edhe me shumë forcë brenda vetes. Gjithmonë kam luftuar për të arritur qëllimet e mia dhe nuk do të lejoj askënd të më rrëzojë apo të më poshtërojë kot."
Nayara nuk je vetëm, ne jemi me ty./Dosja.al

xheni karaj

Sondazh

Poll