Politike

Integrimi/ Rama: Kemi rënë dakord të mbyllim detyrat deri në 2027! BE e paparashikueshme, pacient me 27 mjekë

Gjatë fjalës së tij në Forumin “Berlin Global Dialogue”, Rama theksoi se synimi për t’u bërë pjesë e BE-së deri në vitin 2030 nuk është thjesht një dëshirë, por një axhendë e dakordësuar me Brukselin.

25 Tetor 2025, 10:45 Nga M.L
Integrimi/ Rama: Kemi rënë dakord të mbyllim detyrat deri në
Edi Rama

GJERMANI- Kryeministri Edi Rama foli sot për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjatë fjalës së tij në Forumin “Berlin Global Dialogue”, Rama theksoi se synimi për tu bërë pjesë e BE-së deri në vitin 2030 nuk është thjesht një dëshirë, por një axhendë e dakordësuar me Brukselin. Rama shtoi se deri në vitin 2027 duhet të mbyllen të gjitha detyrat e “shtëpisë” për tu përgatitur drejt anëtarësimit.

Gjithashtu Rama theksoi se BE është e paparashikueshme, pasi është një pacient me 27 mjekë.

“Kemi rënë dakord për një kalendar, kalendari nënkupton që për të gjitha detyrat e shtëpisë që duhet të bëjmë për të arritur anëtarësimin me të drejta të plota, na duhet të vazhdojmë nga tani deri në 2027 dhe ti mbyllim kapitujt. Është sfidë por nëse ecim në përputhje me kalendarin atëherë ana e tyre e marrëveshjes është se ata do ti quajnë të mbyllura negociatat dhe do ti kërkojnë shteteve anëtare ti ratifikojnë, kemi parashikuar edhe 2 vite të tjera. Ja pse kam thënë 2030, bazuar në këtë marrëveshje. nuk është një gjë që thjesht e dëshirojmë.

Ndikimi i një trysnie shumë të lartë që vjen prej agresionit rus, por jo vetëm, por në përgjithësi nga ndryshimet e mëdha në botë, është i tillë që e mban BE shumë të përqendruar në këtë aspekt, me BE nuk i dihet kurrë, nuk është një bishë e parashikueshme, mund të ndryshojë, se nuk është një vend. Është një asamble 27-ëshe, është një pacient me 27 mjekë, të gjithë patologë dhe kjo e ndërlikon edhe më shumë, se ju duhet që në çdo moment të bien dakord për çdo gjë, kështu që tragjikisht optimist, është pozita më e mirë për të qëndruar”, tha Rama./ Dosja.al

Sondazh

Poll