Politike

I akuzuar për korrupsion aktiv në zgjedhjet e 11 majit! SPAK mbyll hetimet, dërgon për gjykim kryetarin e Bashkisë Vau Dejës, Kristian Shkreli

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, nga përgjimet telefonike, vëzhgimet në terren dhe veprimet e tjera hetimore, ka rezultuar se Shkreli është përfshirë në veprimtari të kundërligjshme gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025.

24 Tetor 2025, 17:13 Nga M.L
I akuzuar për korrupsion aktiv në zgjedhjet e 11 majit! SPAK mbyll
Kristian Shkreli, SPAK, foto ilustruese

TIRANA- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar për gjykim Kryetarin e Bashkisë së Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i akuzuar për veprën penale të “korrupsionit aktiv në zgjedhje”. Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, nga përgjimet telefonike, vëzhgimet në terren dhe veprimet e tjera hetimore, ka rezultuar se Shkreli është përfshirë në veprimtari të kundërligjshme gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025.

Hetimet kanë zbuluar se gjatë fushatës zgjedhore, Kryebashkiaku i Vaut të Dejës u ka premtuar dhe ofruar të mira materiale zgjedhësve të fshatit Stajkë, në këmbim të votimit në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë. SPAK bën me dije se ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar dosjen në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për shqyrtim gjyqësor.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe më datë 23.10.2025 ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë procedimit penal nr. 49/1, të vitit 2025 (i ndarë nga procedimi penal nr. 49 i vitit 2025), në ngarkim të të pandehurit Kristian Shkreli, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.

Nga aktet e administruara gjatë hetimit proaktiv dhe ndjekjes me metoda speciale hetimore, (përgjimet e bisedave telefonike, vëzhgimet, si edhe kryerja e veprimeve të tjera hetimore), në kuadër të procedimit penal nr. 49 të vitit 2025, ka rezultuar se i pandehuri Kristian Shkreli, me detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, është përfshirë në veprimtari të kundërligjshme në zgjedhjet e zhvilluara më datë 11 maj 2025, për Kuvendin e Shqipërisë.

Gjatë fushatës zgjedhore, Kristian Shkreli u ka premtuar dhe ofruar të mira materiale zgjedhësve të fshatit Stajkë, në Bashkinë Vau Dejës, në këmbim të votimit në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të subjektit politik Partia Socialdemokrate e Shqipërisë.

Gjatë hetimit është evidentuar se i pandehuri ka qenë aktiv në fushatën zgjedhore, në mbështetje të këtij subjekti politik, duke shfrytëzuar nevojat e banorëve të fshatit Stajkë për ndërtimin e infrastrukturës së rrjetit të energjisë elektrike, investim i realizuar gjatë periudhës së fushatës elektorale, dhe duke u kërkuar banorëve të kësaj zone votimin për subjektin politik të preferuar prej tij, Partinë Socialdemokrate të Shqipërisë./ Dosja.al

spak kristian shkreli bashkia vau i dejes

Sondazh

Poll