Politike

"Raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet kambanë alarmi"/ Komisioni i Ligjeve, Blushi: Projekt-rezolutat e sjella këtu janë tallje

Gjatë fjalës së tij Blushi nënvizoi se Komisioni duhet të hartojë një raport alarmant, sepse zgjedhjet nuk ishin produkt i votës së lirë dhe kjo sipas raportit të pavarur të OSBE/ODIHR. 

24 Tetor 2025, 12:36 Nga E. D
"Raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet kambanë alarmi"/
Tedi Blushi

TIRANË- Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, duke folur në Komisionin e Ligjeve tha se nuk ka konstatim më tronditës se raporti i OSBE/ODIHR, i cili sipas tij duhet të ishte një kambanë alarmi. Gjatë fjalës së tij Blushi nënvizoi se Komisioni duhet të hartojë një raport alarmant, sepse zgjedhjet nuk ishin produkt i votës së lirë dhe kjo sipas raportit të pavarur të OSBE/ODIHR. 

Ndër të tjera, Blushi kritikoi edhe projektrezolutat e institucioneve të drejtësisë, duke i cilësuar si tallje, teksa vuri në dukje diferencat hetimore të një qytetari të thjeshtë dhe një anëtari të bandës kriminale apo zyrtari. Po ashtu ai u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë dhe veçanërisht SPAK-ut që të respektonte të drejtat e njeriut dhe konventat ndërkombëtare me arrestimet dhe paraburgimet.

“Nuk ka konstatim më tronditës se raporti i OSBE/ODIHR. Ai raport sot duhet të ishte një kambanë alarmi, por kjo nuk është çështja juaj, ky Komision duhet të hartojë një raport alarmant, sepse zgjedhjet nuk janë produkt i votës së lirë dhe kjo sipas raportit të pavarur të OSBE/ODIHR. Janë deputetë të kësaj shumice që kanë dalë nga zgjedhje jo të lira e të barabarta. Kemi bërjen njësh të shtetit me policinë dhe krimin. Keni unifikuar partinë me shtetin. 

Projektrezoluta që është sjellë këtu është tallje për mendimin tim. Sepse nuk është sjellë lidhja e krimit të organizuar dhe hetimi i tij. Më shqetëson edhe çështja e arrestimeve. Arrestohen persona dhe burgosen për një dozë hashash dhe lirohen ata që kapen me kamion droge.  A do flasim në Kuvend ndonjëherë për hallet e shqiptarëve, për vjedhjen e fondeve të IPARD-it.

Pse nuk hetohen këto fonde se ku përfunduan, 140 milionë euro. Përfunduan ose te bandat kriminale, ose te njerëzit e pushtetit. Nuk jemi kundër që të hetohet edhe opozita, por të mos thërrasësh kryeministrin e vendit për të gjitha aferat, siç ishte ajo e inceneratorëve me përqindjet dhe fondet. Të mos thërrasësh njëherë Belinda Ballukun për ta pyetur dhe hetuar, a ka vend kjo, a ka moral. A ka ndonjë plan për të ndalur gjithë këtë gjakderdhje financiare. 

SPAK të respektojë gjatë hetimeve konventën e të drejtave të njeriut dhe të mos shërbejë si pistoletë në duart e Edi Ramës, sepse po shkel çdo ditë të drejtat e njeriut. T’i japë fund kthimit në vegël për shtetin dhe bërjen njësh me të. Ne themi se institucionet janë të pavarura, por në fakt janë të varura prej këmbësh”, tha Blushi./Dosja.al

tedi blushi

Sondazh

Poll