Bota

AfD spiunon për Rusinë? Tronditet politika gjermane, akuza e fortë e ministrit: Rusia ushtron hapur ndikimin e saj brenda Parlamentit...

Në një intervistë për gazetën ekonomike Handelsblatt, Maier tha se autoritetet po e ndjekin me “shqetësim në rritje” mënyrën se si AfD po përdor të drejtën parlamentare të interpelancës për të mbledhur informacion mbi infrastrukturat kritike të Gjermanisë, përfshirë sektorët e transportit, ujësjellësve dhe energjisë.

22 Tetor 2025, 16:49 Nga M.L
AfD spiunon për Rusinë? Tronditet politika gjermane, akuza e
Foto ilustruese

GJERMANI- Një deklaratë e rëndë ka tronditur politikën gjermane këtë të mërkurë, ku ministri i Brendshëm i landit të Turingjisë, Georg Maier, ka akuzuar partinë e ekstremit të djathtë Alternative für Deutschland (AfD) për veprimtari të dyshuar spiunazhi në favor të Rusisë.

Në një intervistë për gazetën ekonomike Handelsblatt, Maier tha se autoritetet po e ndjekin me “shqetësim në rritje” mënyrën se si AfD po përdor të drejtën parlamentare të interpelancës për të mbledhur informacion mbi infrastrukturat kritike të Gjermanisë, përfshirë sektorët e transportit, ujësjellësve dhe energjisë.

Sipas tij, gjatë 12 muajve të fundit, vetëm në Turingji, AfD ka paraqitur 47 interpelanca, shpeshherë me kërkesa shumë specifike për informacione teknike dhe sensitive, çka ka ngritur alarmin te shërbimet e sigurisë.

Akuzat janë përforcuar edhe nga figura të tjera në nivel federal. Marc Henrichmann, president i organit parlamentar për mbikëqyrjen e shërbimeve sekrete dhe anëtar i CDU-së, ka deklaruar:
“Rusia ushtron hapur ndikimin e saj brenda Parlamentit, veçanërisht përmes AfD-së, për të spiunuar dhe për të marrë informacione të ndjeshme.”

Një tjetër shqetësim vjen nga interesi i veçantë që, sipas autoriteteve, AfD ka treguar për sistemet informatike dhe teknologjitë e sigurisë, përfshirë pajisjet për mbrojtje kundër dronëve. Ish-kreu i organit parlamentar për shërbimet sekrete, Konstantin von Notz (të Gjelbrit), ka akuzuar AfD-në se “me vetëdije shërben si zëdhënëse e regjimeve autokratike dhe përhap narrativat e tyre në parlament”.

AfD ka qenë prej kohësh nën vëzhgim për lidhjet e saj me Moskën. Deputetët e kësaj partie kanë zhvilluar udhëtime të shumta në Rusi, të cilat janë dokumentuar dhe kanë ngritur pikëpyetje për qëllimet e tyre.

Shqetësimet janë rindezur nga një vizitë e re e planifikuar në Moskë, këtë herë nga Markus Frohnmaier, nënkryetari i grupit parlamentar të AfD-së në Bundestag. Sekretari i përgjithshëm i CSU-së (partia simotër e CDU-së në Bavari) ka kërkuar publikisht që kjo vizitë të anulohet.

Frohnmaier ka mohuar akuzat për tradhti dhe ka deklaruar se “është i përkushtuar vetëm ndaj interesave të Gjermanisë”, por kjo nuk ka mjaftuar për të shuar dyshimet që po rëndojnë gjithnjë e më shumë mbi partinë që konsiderohet tashmë si një kërcënim i mundshëm për sigurinë kombëtare./ Dosja.al

alternative für deutschland

Sondazh

Poll