Politike

"Arrestimi i avokatit është 'barbarizëm institucional"/ Blushi përplaset me kryetaren e KLP: Duhet të ngrihej shteti në këmbë, ju heshtët! Bogdani: KLP nuk ndërhyn në asnjë rast

Duke iu drejtuar kryetares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Mirela Bogdani, Blushi u shpreh se, sipas tij, prokurorët po e tejkalojnë mandatin e tyre kushtetues, duke ndërhyrë në mënyrë të padrejtë në çështje që prekin opozitën.

20 Tetor 2025, 17:56 Nga M.L
"Arrestimi i avokatit është 'barbarizëm
Foto ilustruese

TIRANA- Një debat i ashpër është zhvilluar sot në një nga mbledhjet e Komisionit Parlamentar, ku deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka kritikuar fort rolin e prokurorisë shqiptare, duke e cilësuar qasjen e saj si një "inkuzicion" ndaj opozitës dhe qytetarëve. Duke iu drejtuar kryetares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Mirela Bogdani, Blushi u shpreh se, sipas tij, prokurorët po e tejkalojnë mandatin e tyre kushtetues, duke ndërhyrë në mënyrë të padrejtë në çështje që prekin opozitën.

"Prokurorët nga akuzatorë po kthehen në inkuizitorë ndaj qytetarëve të thjeshtë, e sidomos ndaj opozitës. SPAK është në krye të këtij inkuzicioni me një qasje të hapur represive ndaj pluralizmit politik," tha ai.

Ai kritikoi edhe praktikën e mbajtjes së shtetasve në paraburgim pa prova të qarta, duke e cilësuar si shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe një dështim sistematik të drejtësisë penale: Po krijoni perceptimin e rremë se Akuza jep drejtësi, kur në fakt këtë e bën vetëm gjykata. Arrestimi i nje avokati eshte nje barbarizem institucional, qe duhet te ngrinte ne kembe shtetin e se drejtes. Ju si KLP heshtët.

Më tej Blushi ngriti dyshime për ndikime të huaja në emërimet brenda strukturave të drejtësisë: Ju thate që nuk ndiheni nen presion nga politika po sugjerime nga diplomate te caktuar per zgjedhjen e drejtuesit te ri te SPAK a keni?

Mirela Bogdani, në përgjigjen e saj, mohoi që KLP të ketë ndonjë rol në ndonjë procedim penal apo ndërhyrje në dosje: KLP nuk ndërhyn në asnjë rast, në asnjë dosje. Ky është thelbi i reformës në drejtësi. Ne merremi vetëm me vlerësimet e indikatorëve profesionalë në një fazë të mëvonshme, jo gjatë procedimeve penale.

Sa i përket akuzave për qasje represive të SPAK, Bogdani tha: Nuk mendoj se kemi të bëjmë me një qasje represive. Të gjithë jemi ndryshe, edhe binjakët identikë janë të ndryshëm. Ka njerëz më të ashpër, disa më tolerantë. Janë faktorë natyrorë, personalë, edhe biokimikë. Por kjo nuk do të thotë që ka presion institucional. KLP vëzhgon sjelljen e prokurorëve në mënyrë periodike, por nuk ka asnjë autoritet mbi vendimmarrjen brenda hetimeve konkrete./ Dosja.al

tedi blushi mirela bogdani klp spak

Sondazh

Poll