Aktualitet

Skandal në Komisionin e Ligjeve: Prokuroria nuk justifikon dot gjyqtaren e dënuar Irena Gjoka, e kalon topin tek SPAK

Deputetët e Partisë demokratike, Gent Strazimiri dhe Oerd Bylykbashi akuzuan gjatë mbledhjes Prokurorinë e Përgjithshme dhe zyrtarët e saj se po fshehin rastin e gjyqtares Irena Gjoka.

14 Tetor 2025, 16:13 Nga E.d
Skandal në Komisionin e Ligjeve: Prokuroria nuk justifikon dot gjyqtaren e
Foto ilustruse

TIRANË -  Një debat ka ndodhur gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve mes deputetëve të opozitës dhe Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela, të shoqëruar nga Kostaq Beluri.

Deputetët e Partisë demokratike, Gent Strazimiri dhe Oerd Bylykbashi akuzuan gjatë mbledhjes Prokurorinë e Përgjithshme dhe zyrtarët e saj se po fshehin rastin e gjyqtares Irena Gjoka. Sipas tyre Irena Gjoka, e cila është një gjyqtare e dënuar nga shteti grek, vazhdon dhe ushtron profesionin e saj në Shqipëri. Në fund deputeti demokrat Oerd Bylykbashi tha se ai lloj dënimi mjafton për të përfunduar detyrën që ka gjyqtarja Gjoka

Pjesë nga diskutimi: 

Beluri:

Verifikimi i thelluar presupozon verifikimin e të gjitha deklarimeve të bëra në formular. Ai vendim gjyqësor lidhet vetëm me një pyetje të bërë në kreun 3 të formularit. Unë duhet t’i mbyll të gjitha verifikimet e formularit për të thënë që e bëra verifikimin e thelluar dhe t’i kthej përgjigje institucionit kërkues për këtë proces.
Për ta mbyllur si debat, se kjo është pjesë proceduriale, të gjitha aktet e procesit të verifikimit të thelluar i ka administruar edhe SPAK, të interesuar për atë që ju po pretendoni.

Strazimiri:

Edhe nëqoftëse do hapej një proces penal, zonja është subjekt i SPAK, nuk është i prokurorisë së juridiksionit të përgjithshëm?

Beluri:

Patjetër që është subjekt i SPAK.

Strazimiri:

Në shkresën që i keni dërguar PD-së, ju thoni se vazhdoni të prisni në mënyrë të përsëritur përgjigjen e një shkrese numër 183/58, që ia dërgoni vazhdimisht Ministrisë së Drejtësisë dhe nuk merrni përgjigje. Për çfarë bëhet fjalë?

Beluri:

Unë i drejtohem Ministrisë së Drejtësisë për çdo kërkesë. Me letërporosi marrim informacionin nëpërmjet autoriteteve gjyqësore e vendeve të tjera, dhe Ministrisë së Drejtësisë i jam drejtuar në disa raste në funksion të këtij verifikimi për të marrë ato që më interesojnë në funksion të verifikimit të dhënieve në formularin e vetëdeklarimit. Ministria e Drejtësisë dhe autoritetet e tjera gjyqësore nuk kanë qenë tërësisht të sakta dhe jemi detyruar të përsërisim kërkesat e mia për të dërguar një letërporosi tjetër. Në atë kuadër jemi.

Oerd Bylykbashi:

Ju e keni verifikuar, gjyqtarja tashmë rezulton e dënuar, më pas e ka deklaruar apo jo. Ai lloj dënimi mjafton për t’i përfunduar detyrën që ka apo jo, është krejt gjë tjetër. Në momentin që keni gjetur atë fakt që është e dënuar me vendim të formës së prerë në një shtet tjetër, ky fakt i referohet organit të kompetencës për largimin nga detyra. Është ligji që e mbaron drejtpërdrejt funksionin. Momenti që ju dërgoni shkresën për këtë, mbaron funksioni i një gjyqtareje që sa herë bie shorti i bie pikërisht gjithmonë asaj për liderët e opozitës./Dosja.al

mbledhje irena gjoka olsian Çela

Sondazh

Poll