Aktualitet

Hakmarrje për arrestimin e Altin Morinës? Pasi i uli gradën dhe e çoi në Korçë, Ilir Proda dërgon me shërbim në Kukës shefin Ridvan Pali

Pasi dha dorëheqjen pas arrestimit të Morinës, i cili dyshohet se është mik i ngushtë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Ilir Proda, Palit iu ul grada për një vit dhe u caktua me detyrë në Devoll. 

14 Tetor 2025, 13:24 Nga Izmir Akulli
Hakmarrje për arrestimin e Altin Morinës? Pasi i uli gradën dhe e
Ilir Proda dhe Altin Morina

TIRANË- Ndëshkimet ndaj ish-kryekomisarit të komisariatit numër 2 në Tiranë Ridvan Pali, i cili arrestoi Altin Morinën vitin e kaluar nuk kanë të ndaluar. Pasi dha dorëheqjen pas arrestimit të Morinës, i cili dyshohet se është mik i ngushtë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Ilir Proda, Palit iu ul grada për një vit dhe u caktua me detyrë në Devoll. 

Por mesa duket nuk mbaroi me kaq, pasi vetëm 4 ditë më parë, Proda e ka rivendosur sërish Palin. Këtë herë, e ka caktuar me detyrë në Kukës. Në shkresën e mëposhtme të siguruar nga Dosja.al, thuhet se ndaj Palit, Proda i ka ulur gradët, me akuzë për moszbatimin e dispozitave ligjore. 

Hakmarrje për arrestimin e Altin Morinës? Pasi i uli gradën dhe e
Shkresa

Si u arrestua Altin Morina?

Ish-efektivi i RENEA-së, Altin Morina i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Revanshi” është arrestuar mbrëmjen e 3 prillit të vitit të kaluar. Altin Morina është arrestuar nga shërbimet e komisariatit nr.2 në Tiranë teksa bashkë me të ishte edhe një person tjetër. Altin Morina u shpall në kërkim në kuadër të operacionit Revanshi.

Çfarë ndodhi pas arrestimit të Altin Morinës?

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetiti Ilir Proda shkriu të gjithë zinxhirin komandues të komisariatit nr. 2 në Tiranë pas arrestimit të ish-efektivit të RENEA-s Altin Morina. Sipas informacioneve, "zemërimi" i Prodës vjen pasi Morina është mik i ngushtë i tij.  Kështu, në shenjë hakmarrje, Proda ka shkarkuar shefin e komisariatit, shefin e krimeve, oficerët e policisë gjyqësore të komisariatit si dhe agjentët civilë.

Kjo çështje shkon më thellë pasi AMP jo vetëm nuk mban qëndrim në krah të efektivëve të policisë për një hetim sa më të plotë të ngjarjes së paprecedentë, por delegon Franc Ndojin për t’u bërë presion agjentëve të mbetur në komisariat që të lënë detyrën. Drejtori i AMP së Tiranës Franc Ndoji dhe ish-efektivi i RENEA-s Altin Morina gjithashtu njihen për shoqërinë e tyre të ngushtë si dhe kanë qënë nën hetim më parë si grup i përfshirë në huadhënie me fajde si dhe grup që menaxhonte lojërat e fatit në Tiranë, Fushë-Krujë dhe Shkodër.

Kush është Altin Morina?

Ish-efektivi i RENEA-së, Altin Morina i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Revanshi” është arrestuar vitin e kaluar. Bëhet e ditur se Altin Morina është arrestuar nga shërbimet e komisariatit nr.2 në Tiranë teksa bashkë me të ishte edhe një person tjetër.

Por kjo nuk ishte hera e parë që Morina arrestohet. Ish-shefi i stërvitjes pranë repartit special RENEA në Tiranë, Altin Morina u arrestua më 14 mars të vitit 2023 me 113 mijë euro në makinë të padeklaruara. 43-vjeçari u prangos në zonën e Kodrës së Diellit, teksa lëvizte me një automjet luksoz. Shuma e konsiderueshme u gjet poshtë sediljes së parë e mbështjellë me një qese plasmasi. Por një muaj më vonë, ai u lirua nga qelia pasi deklaroi se shumën e parave e kishte marrë hua te një biznesmen për një problem personal dhe se ato nuk ishin të krijuara nga aktiviteti kriminal.

“Nuk ka prova, këto para i kam marrë nga një biznesmen 30 minuta para arrestimit. Nuk vijnë nga produkt kriminal, jam gati të bashkëpunoj me organin e akuzës për t’i dhënë prova që kanë të bëjnë me arsye personale dhe familjare. Nuk ka patur person tjetër në shoqërinë time në momentin e arrestimit. Po shkoja në shtëpi, te Komuna e Parisit, dhe isha drejtuar në “Ish-Bllok” ku banoj”, tregoi ish-efektivi.

Ndërsa në dosjen "Revanshi" sipas SPAK, Altin Morina ka bashkëpunuar me Durim Bamin për kultivimin e kanabisit në zonën e Niklës dhe Tapizës në vitet 2019-2020./Dosja.al

altin morina ilir proda ridvan pali

Sondazh

Poll