Aktualitet

EMRI/ I shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe tentoi të kalonte kufirin ilegalisht, arrestohet 34- vjeçari në Durrës, në pranga edhe dy shoferët të cilët tentuan të kalonin 5 persona jashtë kufirit

Njëri prej pesë personave të fshehur që synonin të dilnin ilegalisht jashtë shtetit, ishte shpallur në kërkim ndërkombër.

13 Tetor 2025, 16:55 Nga E.d
EMRI/ I shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe tentoi të
Foto ilustruse

DURRËS - Policia ka arrestuar dy shoferë 48 dhe 45 vjeç, pasi tentuan të kalonin ilegalisht pesë persona jashtë shtetit. Shoferët kishin fshehur në kamionët që drejtonin pesë persona me qëllim kalimin e tyre jashtë kufirit. Njëri prej pesë personave të fshehur që synonin të dilnin ilegalisht jashtë shtetit, ishte shpallur në kërkim ndërkombër.

Indrit Lleshi 34 vjeç, i lindur në Dibër, ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Ankonës në Itali në vitin 2024, e kishte dënuar me 7 vjet e 6 muaj burg. Lleshi akuzohet për veprën penale “Vjedhja”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. 34-vjeçari u arrestua nga policia, ndërsa pritet të ekstradohet drejt Italisë.

Njoftimi i policisë:

"PKK Port Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Rolet”. Fshehën në kamionët që drejtonin, 5 shtetas shqiptarë që synonin të dilnin ilegalisht jashtë shtetit, arrestohen 2 shtetas. Njëri prej të shtetasve të fshehur në kamionë, në kërkim ndërkombëtar, i dënuar me mbi 7 vjet e gjysmë burgim, për vjedhje në Itali, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Sekuestrohen kamionët, mjete identifikimi dhe celularë.

Si rezultat i kontrolleve të imtësishme në hyrje/dalje të Republikës së Shqipërisë, ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat ata lëvizin, si dhe si rezultat i administrimit të shpejtë dhe profesional të informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit finalizuan operacionin “Rolet”. Në kuadër të operacionit u vunë në pranga shtetasit G. Xh., 48 vjeç dhe E. B., 45 vjeç, të dy banues në Tiranë, pasi në kamionët që drejtonin, në dalje të Republikës së Shqipërisë, u gjetën të fshehur 5 shtetas shqiptarë.

Nga verifikimet e mëtejshme në kuadër të këtij operacioni dhe nga shkëmbimi i informacionit ndërmjet strukturave homologe të Interpolit, në Tiranë dhe në Romë, rezultoi se njëri prej 5 shtetasve që synonin të dilnin ilegalisht jashtë shtetit, konkretisht shtetasi Indrit Lleshi alias Ibrahim Lleshi, 34 vjeç, i lindur në Dibër, ishte në kërkim ndërkombëtar, sepse Gjykata e Ankonës, Itali, në vitin 2024, e ka dënuar me 7 vjet, 6 muaj e 9 ditë burgim, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. 34-vjeçari u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin në Itali Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme."/Dosja.al

indrit lleshi gjykata e ankonës

Sondazh

Poll