Politike

Nderohet me çmimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë/ Osmani: I dedikohet grave të Kosovës...

Gjatë ceremonisë së pranimit, Osmani e cilësoi këtë vlerësim si një nder të madh, duke theksuar se çmimi i dedikohet popullit të Kosovës, e veçanërisht grave që me guxim dhe sakrificë kanë qenë shtylla e lirisë dhe demokracisë së vendit.

13 Tetor 2025, 15:28 Nga E. D
Nderohet me çmimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për
Vjosa Osmani

KOSOVË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është vlerësuar sot me Çmimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për “Gratë, Paqen dhe Sigurinë”. Ky është një çmim prestigjioz që nderon lidershipin dhe rolin e grave që kanë kontribuar në forcimin e paqes, demokracisë dhe sigurisë në vendet e tyre dhe në arenën ndërkombëtare.

Gjatë ceremonisë së pranimit, Osmani e cilësoi këtë vlerësim si një nder të madh, duke theksuar se çmimi i dedikohet popullit të Kosovës, e veçanërisht grave që me guxim dhe sakrificë kanë qenë shtylla e lirisë dhe
demokracisë së vendit.

Osmani gjithashtu theksoi se vlerësimi nga Asambleja Parlamentare e NATO-s është edhe njohje për përpjekjet e Kosovës në avancimin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, përmes Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe Qendrës Rajonale të Ekselencës, që tashmë Presidenca e Republikës i ka shndërruar në platforma të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal e ndërkombëtar.

"Nder i veçantë që sot, ta pranoj Çmimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Këtë vlerësim të jashtëzakonshëm ia dedikoj popullit të Kosovës, e në veçanti grave të Kosovës, të cilat me guxim, dinjitet e përkushtim ndihmuan arritjen e lirisë dhe ndërtimin e paqes.

Është çmim për të gjitha gratë që nuk u dorëzuan kurrë, për ato që iu prinë protestave, luftës e ndërtimit të institucioneve, për kampionet e të drejtave të njeriut, për nënat që ende presin më të dashurit e tyre të zhdukur dhunshëm gjatë luftës, për të mbijetuarat të cilat kurrë nuk rreshtën së punuari për kauzën e drejtësisë, si dhe për vajzat e reja që sot udhëheqin çdo fushë me besim e vizion. Paqja jonë është ndërtuar mbi sakrificën dhe guximin e tyre, ndërsa demokracia jonë është forcuar falë angazhimit të pashoq të grave që qëndruan të palëkundura në çdo hap të rrugëtimit tonë drejt lirisë e barazisë," deklaroi Vjosa Osmani./Dosja.al

vjosa osmani

Sondazh

Poll