Politike

Partia e parë në nivel vendi, kryetari i LDK vlerëson kandidatët: Keni qenë zëri, fytyra dhe energjia në çdo qytet, nga sot e tutje jeni të gjithë 'kryetarë'

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Abdixhiku ka vlerësuar sjelljen dinjitoze të kandidatëve të LDK-së, duke theksuar se ata kanë qenë “zëri, fytyra dhe energjia e LDK-së në çdo qytet, lagje e fshat të Kosovës”.

13 Tetor 2025, 14:28 Nga M.L
Partia e parë në nivel vendi, kryetari i LDK vlerëson
Foto ilustruese

KOSOVA- Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka shprehur mirënjohje për të gjithë kandidatët e kësaj partie për angazhimin dhe përkushtimin e treguar gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Abdixhiku ka vlerësuar sjelljen dinjitoze të kandidatëve të LDK-së, duke theksuar se ata kanë qenë “zëri, fytyra dhe energjia e LDK-së në çdo qytet, lagje e fshat të Kosovës”.

Ai ka shtuar se performanca e kandidatëve ka reflektuar vlerat dhe traditën e partisë, ndërsa ka premtuar se LDK do të vazhdojë rrugën e saj drejt forcimit të strukturave lokale dhe përfaqësimit të denjë të qytetarëve në çdo nivel të pushtetit.

“Keni qëndruar me dinjitet, me argument, me kulturë e me dashuri për vendin; siç i ka hije shtëpisë së demokracisë,” tha ai.

Abdixhiku ka përmendur edhe fitoren në raundin e parë të disa kandidatëve të LDK-së, përfshirë Imri Ahmetin, Ilir Feratin dhe Ruzhdi Shehun, duke i uruar për suksesin dhe duke e cilësuar këtë fitore si të përbashkët për të gjithë LDK-në.

“Nga sot e tutje jeni kryetarë të të gjithëve pa dallim. Silluni si të tillë,” theksoi ai.

Për kandidatët që kanë kaluar në balotazh, Abdixhiku shprehu besimin se gara do të vazhdojë me energji dhe përkushtim, ndërsa për ata që nuk arritën të fitonin, dha mesazhin e motivimit dhe qëndrueshmërisë.

“Mos e merrni si humbje, meqë gara nuk është e tillë. Është përvojë, themel për fitoret e ardhshme,” u shpreh ai.

Sipas Abdixhikut, LDK ka arritur të marrë mbi 180 mijë vota për Kuvende Komunale, duke dalë partia e parë në nivel vendi, sipas rezultateve preliminare të këtyre zgjedhjeve. Në fund, kreu i LDK-së shprehu mirënjohje për gjithë strukturën e partisë dhe theksoi se rrugëtimi i LDK-së vazhdon me më shumë besim dhe përkushtim./ Dosja.al

zgjedhjet lokale ne kosove ldk

Sondazh

Poll