Aktualitet

"Përulje" dhe nderim për Ismail Kadarenë në zemër të Parisit! Këshilli Bashkiak vendos pllakë përkujtimore në shtëpinë ku jetoi shkrimtari i shquar shqiptar

Ky është një nderim i veçantë dhe i merituar për Ismail Kadarenë, shkrimtarin me famë botërore që ngriti lart zërin e Shqipërisë dhe kulturës shqiptare në letërsinë universale.

10 Tetor 2025, 18:39 Nga M.L
"Përulje" dhe nderim për Ismail Kadarenë në
Ismail Kadare

FRANCË- Këshilli Bashkiak i Parisit ka vendosur dje unanimisht të vendosë një pllakë përkujtimore në adresën ku ka jetuar familja Kadare, në 63 boulevard Saint-Michel, 75005 Paris. Ky është një nderim i veçantë dhe i merituar për Ismail Kadarenë, shkrimtarin me famë botërore që ngriti lart zërin e Shqipërisë dhe kulturës shqiptare në letërsinë universale.

Ky gjest i kryeqytetit francez, të njohur si qyteti i kulturës europiane, përfaqëson një përulje ndaj veprës së Kadaresë, një autori që u lind në Gjirokastër, u formua në Tiranë dhe u përjetësua në Paris. Në këtë qytet, Kadare shkroi një pjesë të madhe të krijimtarisë së tij letrare, duke u bërë ura më e ndritshme mes Shqipërisë dhe botës.

Vajza e shkrimtarit, diplomatja Besiana Kadare e bëri të ditur lajmin dhe më tej falenderon Francën për nderimin e figurës dhe veprës së babait të saj.

POSTIMI:

"Parisi i bëri dje një nderim të denjë Ismail Kadaresë, në qytetin ku ai jetoi dhe krijoi një pjesë të veprës së tij universale. Këshilli Bashkiak i Parisit votoi me unanimitet për vendosjen e një pllake përkujtimore në adresën tonë 63 boulevard Saint-Michel 75005, ku lindën disa nga faqet më të ndritura të letërsisë shqipe.

Kadare ishte një ndërgjegjje evropiane e farkëtuar në tokën shqiptare. Ai e përshkroi identitetin dhe rrugëtimin e kombit shqiptar si thellësisht evropian shumë përpara se ta njihte Brukseli.

Ky gjest fisnik i Evropës nderon jo vetëm autorin, por edhe Shqipërinë dhe kontributin e kulturës sonë në ndërtimin e qytetërimit shpirtëror evropian, përtej kufijve dhe politikës. Disa herë janë të tjerët që na kujtojnë më mirë se kush jemi dhe çfarë i kemi dhënë botës. Faleminderit Parisit dhe Francës për këtë përkujtim plot dritë./ Dosja.al

ismail kadare

Sondazh

Poll