Politike

PD nis procedurat për propozimin e shkarkimit të Begajt/ Nga Kuvendi te Gjykata Kushtetuese, cilat janë procedurat për shkarkimin e Presidentit

Në njoftimin e shpërndarë pas mbledhjes, thuhet se PD do të veprojë në mbështetje të pikës 2 të nenit 90 të Kushtetutës, që parashikon mundësinë e shkarkimit të Presidentit për “shkelje të rëndë të Kushtetutës”. 

8 Tetor 2025, 16:50 Nga M.L
PD nis procedurat për propozimin e shkarkimit të Begajt/ Nga Kuvendi
Bajram Begaj

TIRANA- Partia Demokratike ka nisur sot zyrtarisht procedurat parlamentare për propozimin e shkarkimit të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. Vendimi është marrë gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së, ku u diskutua nisma e opozitës për të kërkuar shkarkimin e kreut të shtetit. Në njoftimin e shpërndarë pas mbledhjes, thuhet se PD do të veprojë në mbështetje të pikës 2 të nenit 90 të Kushtetutës, që parashikon mundësinë e shkarkimit të Presidentit për “shkelje të rëndë të Kushtetutës”. 

Si shkarkohet Presidenti i Republikës?

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë përcakton në nenin 90 mënyrën dhe kushtet se si mund të shkarkohet Presidenti i Republikës nga detyra. Sipas këtij neni, kreu i shtetit nuk mban përgjegjësi për aktet që kryen në ushtrim të detyrës së tij, por mund të shkarkohet nëse kryen një shkelje të rëndë të Kushtetutës ose një krim të rëndë.

Procedura nis në Kuvend, ku të paktën një e katërta e deputetëve duhet të paraqesin një propozim zyrtar për shkarkimin e Presidentit. Pasi nisma depozitohet, ajo shqyrtohet dhe për të kaluar duhet të miratohet me shumicën e cilësuar prej dy të tretave të votave të të gjithë deputetëve, që do të thotë të paktën 94 vota pro.

Pas miratimit në Kuvend, vendimi nuk merr efekt të menjëhershëm, pasi dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Është kjo gjykatë që ka kompetencën për të verifikuar nëse Presidenti ka kryer vërtet shkelje të rënda kushtetuese apo vepra penale, dhe vetëm nëse konstaton fajësinë e tij, shpall zyrtarisht shkarkimin nga detyra.

Neni 90

1. Presidenti i Republikës nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij.

2. Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë.
Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të
mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij.

3. Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës,
deklaron shkarkimin e tij nga detyra/ Dosja.al

shkarkimi i presidentit pika 2 neni 90 partia demokratike bajram begaj

Sondazh

Poll