Politike

Ministrja Spiropali në Irlandë të Veriut, merr pjesë në Takimin e Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit

Në një reagim për mediat, Spiropali u shpreh se ky ministerial mbahet në një qytet që është shembull i dialogut dhe pajtimit, duke e lidhur këtë simbolikë me realitetin e Ballkanit Perëndimor.

8 Tetor 2025, 16:08 Nga M.L
Ministrja Spiropali në Irlandë të Veriut, merr pjesë në
Elisa Spiropali

IRLANDË E VERIUT- Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka mbërritur këtë të mërkurë në Belfast, ku po zhvillohet Takimi i Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit. Në një reagim për mediat, Spiropali u shpreh se ky ministerial mbahet në një qytet që është shembull i dialogut dhe pajtimit, duke e lidhur këtë simbolikë me realitetin e Ballkanit Perëndimor.

“Sapo mbërritëm në Belfast të Irlandës së Veriut për Ministerialin e Procesit të Berlinit. Nga qyteti që e shndërroi ndasinë në dialog, përçojmë të njëjtën frymë për Ballkanin Perëndimor. Belfasti na kujton se paqja nuk trashëgohet lehtë, ajo ndërtohet ditë pas dite përmes bashkëpunimit, zhvillimit dhe integrimit. Shqipëria rolin udhëheqës në këtë proces nuk e ka fituar me retorikë, por përmes reformave, veprimit dhe besimit”, u shpreh ministrja Spiropali.

Gjatë qëndrimit në Belfast, ministrja shqiptare do të zhvillojë takime bilaterale me homologë të vendeve pjesëmarrëse dhe do të jetë folëse kryesore në disa sesione plenare, që do të trajtojnë tema si siguria europiane dhe migrimi, pajtimi në Ballkanin Perëndimor dhe integrimi i rajonit drejt Bashkimit Europian.

Ministeriali i Belfastit zhvillohet nën kujdesin e Sekretares së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, dhe është pjesë e serisë së takimeve përgatitore që Britania e Madhe, si vend pritës i Procesit të Berlinit 2025, po organizon gjatë këtij viti. Takimet ministrore do të çojnë drejt Samitit të Liderëve, i cili do të mbahet më 22 tetor 2025 në Londër, nën drejtimin e Kryeministrit britanik./ Dosja.al

elisa spiropali

Sondazh

Poll