Politike

Balluku prezanton nënkryetarët e rinj të bashkisë Fieri: Përmirësim të shërbimeve duke qenë më pranë qytetarëve

Në një prononcim për mediat Balluku sqaroi detaje mbi hapat e ndërmarra sa i takon riorganizimit të nisur, me fokus kryesor përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve.

6 Tetor 2025, 15:27 Nga M.L
Balluku prezanton nënkryetarët e rinj të bashkisë Fieri:
Belinda Balluku

FIER- Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku prezantoi në bashkinë e Fierit nënkryetarët e rinj të këtij institucioni, si një hap i dytë pas riorganizimit dhe zgjedhjes së drejtuesve të rinj të njësive administrative. Një proces ky i finalizuar pak javë më parë.

Në një prononcim për mediat Balluku sqaroi detaje mbi hapat e ndërmarra sa i takon riorganizimit të nisur, me fokus kryesor përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve.

Zëvendëskryeministrja theksoi se dixhitalizimi i proceseve, mbetet një prioritetet edhe për pushtetin vendor, duke rritur transparencën, teksa shtoi më tej se me riorganizimin e ri do të ketë një mbulim më të mirë të të gjithë territorit të bashkisë duke qenë kështu më pranë qytetarëve dhe shqetësimeve të tyre.

“Kemi nisur një proces me kryetarin prej disa muajsh për një riorganizim të mirëfilltë të bashkisë. Pikërisht, ajo që thamë në takimin me punonjësit është që pas një pune shumë të mirë që është bërë këtu në Fier, duhet thënë që Fieri ka ndryshuar katërciprisht dhe është normale që ti sa më shumë punon, sa më shumë ngre, aq më shumë rritet kërkesa e qytetarëve. Për këtë arsye, duhet një riorganizim i thellë dhe një ndarje e mirë e detyrave, dixhitalizimi i proceseve të bashkisë së Fierit dhe mbi të gjitha transparencë për qytetarët, diçka që kërkohet kudo sot në administratën publike dhe lokale. Besoj që me grupin e nënkryetarëve për Armandon puna do të jetë më e thjesht, territoret do të jenë më të mbuluara dhe qytetarët do të jenë më afër administratës lokale”, tha Balluku.

Katër nënkryetarët e rinj të bashkisë Fier janë, Mariglen Hoxha, Nustret Avdulla, Mirela Pitushi dhe Erald Qirio. Avdulla dhe Pitushi janë dy ish-deputetë të këtij qarku, ndërsa Qirio ka mbajtur detyrën e administratorit të Njësisë Administrative Qëndër. Ndërkohë, nënkryetari Hoxha ishte pjesë e listës së kandidatëve të Partisë Socialiste për deputetë në zgjedhjet e fundit. Të katër emrat janë njohës të mirë të terrenit në të gjithë territorin e bashkisë Fier. Eksperienca e tyre është një garanci e shtuar në ofrimin e një shërbimi edhe më të mirë për të gjithë qytetarët fierakë.

belinda balluku fier

Sondazh

Poll