Aktualitet

Zbardhet vrasja e Valbon Beqirajt në Durrës, Policia: Teilor Tivari shkoi për të blerë kanabis, në pranga dhe bashkëpunëtori

Por teksa ndodhej në banesë, kishte lindur një konflikt mes tyre, i cili ka agravuar në përdorimin e dhunës dhe armëve të ftohta.

25 Shtator 2025, 12:53 Nga I.A

Zbardhet vrasja e Valbon Beqirajt në Durrës, Policia: Teilor

DURRËS- Dinamika e vrasjes së 51-vjeçarit Valbon Beqiraj është zbardhur ditën e sotme. Mësohet se autor i vrasjes është Teilor Tivari, i cili kishte shkuar në banesën e Beqirajt për të blerë kanabis. Por teksa ndodhej në banesë, kishte lindur një konflikt mes tyre, i cili ka agravuar në përdorimin e dhunës dhe armëve të ftohta.

Tivari pasi e ka dhunuar, ka marrë një thikë dhe më pas e ka qëlluar disa herë, duke e lënë të vdekur në vend. Në pranga është vënë dhe një person tjetër, i cili ka ndihmuar Tivarin që të largohej nga vendi i ngjarjes, duke e çuar në banesën e tij.  

Njoftimi i Policisë:

Durrës Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore vrasja me thikë e 51-vjeçarit. Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i vrasjes. Në pranga dhe një shtetas që e ndihmoi për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Më datë 24.09.2025, rreth orës 19:00, është marrë njoftim se në lagjen nr. 12, Durrës, në katin e katërt të një pallati ishte gjetur pa shenja jete, me shenja dhune dhe plagë të shkaktuara me mjete të mprehta prerëse, shtetasi M. B., alias V. B., 51 vjeç. Menjëherë u ngrit një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, u zhvilluan hetime të thelluara dhe një sërë veprimesh me qëllim zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Nga veprimet intensive hetimore të kryera, rezultoi se vrasja e këtij shtetasi ka ndodhur rreth orës 10:00 të datës 24.09.2025. Po nga veprimet, rezultoi se në banesën e 51-vjeçarit kishte hyrë shtetasi T. T., 24 vjeç, banues në lagjen nr. 7, Durrës, me qëllim blerjen e lëndës narkotike. Gjatë komunikimit dhe qëndrimit, 24-vjeçari dyshohet se, për motive të dobëta, është konfliktuar me 51-vjeçarin dhe gjatë konfliktit, shtetasi T. T. e ka goditur me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Pas ngjarjes, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, duke u ndihmuar nga shtetasi Xh. D., 27 vjeç, i cili, me një mjet taksi, e ka dërguar fillimisht në banesën e tij. Nga tërësia e veprimeve hetimore janë siguruar prova ligjore që vërtetojnë autorësinë e të dyshuarve në kryerjen e kësaj vepre penale. Në vijim të veprimeve, pas ndjekjes, u bë e mundur kapja e të dyshuarve dhe arrestimi në flagrancë i tyre. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të veprës penale”.

valbon beqiraj teilor tivari

Sondazh

Poll