Bota

Fjalimi i parë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që nga viti 2020/ Donald Trump: Kjo është epoka e artë e Amerikës

Gjatë fjalimit, Trump u përqendrua në arritjet e administratës së tij, duke përmendur rritjen e tregjeve të aksioneve, investimet e reja në SHBA, shkurtimet në taksa dhe rregullore, si dhe forcimin e sigurisë kufitare. Gjithashtu Trump ka ngritur alarmin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së mbi programin bërthamor të Iranit, duke e cilësuar si kërcënimin më të madh për sigurinë globale.

23 Shtator 2025, 21:53 Nga E. D
Fjalimi i parë në Asamblenë e Përgjithshme të
Donald Trump

SHBA- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, iu drejtua sot për herë të parë që nga viti 2020 Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke paraqitur atë që e cilësoi si vizionin e tij për botën. Në fillim të fjalimit, Trump tha se mikrofoni nuk po funksiononte, por shtoi me humor: “Nuk më shqetëson, sepse kështu flet më shumë nga zemra”.

Më pas shtoi me një batutë: “Kushdo që po operon këtë mikrofon, është në telashe të mëdha”.

Trump tha se tetë muaj pas fillimit të mandatit të tij të dytë presidencial, SHBA është “vendi më i nxehtë” në botë, një frazë që e përdor shpesh në deklaratat e tij publike.

“Kjo është realisht epoka e artë e Amerikës,” tha ai.

Gjatë fjalimit, Trump u përqendrua në arritjet e administratës së tij, duke përmendur rritjen e tregjeve të aksioneve, investimet e reja në SHBA, shkurtimet në taksa dhe rregullore, si dhe forcimin e sigurisë kufitare. Gjithashtu Trump ka ngritur alarmin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së mbi programin bërthamor të Iranit, duke e cilësuar si kërcënimin më të madh për sigurinë globale.

“Sot, rreziku më serioz për planetin janë armët më shkatërrimtare që ka njohur ndonjëherë njerëzimi,” deklaroi Trump nga podiumi i Kombeve të Bashkuara.

Ai e përshkroi Iranin si sponsorizuesin kryesor të terrorizmit në botë, duke theksuar se ky regjim nuk duhet të lejohet kurrsesi të zotërojë armë bërthamore. Në sallën e Asamblesë, kamerat fokusuan delegacionin iranian, të cilët dëgjuan fjalimin pa reaguar publikisht ndaj komenteve të ashpra të presidentit amerikan. Në vijim, Trump zbuloi se më herët gjatë vitit kishte urdhëruar bombardimin e një objekti kyç të programit bërthamor iranian.

“Bëmë diçka që për 22 vite të tëra shumëkush e ka dashur, por askush nuk e ka bërë,” tha ai, pa dhënë shumë detaje mbi operacionin.

donald trump

Sondazh

Poll