Aktualitet

Firmat piramidale online XUEX/ Arrestohet organizatori kryesor në zonën e Divjakës (EMËR+FOTO)

Qindra qytetarë nga Divjaka, Lushnja e zonat përreth ranë pre e mashtrimit duke investuar nga 1,000 deri në 5,000 dollarë, me premtimin për fitime të përjetshme.

22 Shtator 2025, 20:39 Nga E. D
Firmat piramidale online XUEX/ Arrestohet organizatori kryesor në
Ereledio Shebeku

DIVJAKË- Organizatori kryesor i firmave piramidale online XUEX, është vënë në pranga nga policia në zonën e Divjakës. Në pranga ka rënë Ereledio Shebeku 35 vjeç, i cili dyshohet si organizatori kryesor për zonën e Divjakës në lidhje me organizimin e këtyre skemave. Shebeku është personi i 7 që arrestohet në kuadër të këtij operacionit “Xuex”.  Më 14 shtator u arrestuan 6 persona; Arbër Çela 38, Emanuel Taullau 21 vjeç, ⁠Flavio Mukaj 23 vjeç, ⁠Marius Kodra 28 vjeç, Brunilda Todi 38 vjeçe dhe Brunilda Ndini 38 vjeçe.

Brunilda Todi është motra e Ereledio Shebekut, ndërsa në kërkim vazhdon të jetë gruaja e tij këtij të fundit, A.Sh. 35 vjeç. Gjithashtu Gjykata e Fierit, në seancën për masat e sigurisë, liroi nga qelia Emanuel Taullau dhe Flavio Mukajn, duke i lënë në detyrim paraqitje. Ndërsa katër të tjerët u lanë në burg me afat 60 ditor. 

Qindra qytetarë nga Divjaka, Lushnja e zonat përreth ranë pre e mashtrimit duke investuar nga 1,000 deri në 5,000 dollarë, me premtimin për fitime të përjetshme. Siç njofton policia, në pranga ka rënë shtetasi me iniciale E.SH., si organizatori kryesor për zonën e Divjakës.

Njoftimi i policisë

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit njofton se, në vijim të operacionit “XUEX”, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Fier dhe me mbështetjen e ngushtë të Prokurorisë së Fierit, është finalizuar ndalimi i personit të dyshuar si organizatori kryesor për zonën e Divjakës, shtetasi E. Sh., 35 vjeç.

Ky operacion tregon vendosmërinë e strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit për goditjen e aktiviteteve mashtruese online, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe të sigurisë publike.

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të mos bien pre e platformave mashtruese, si dhe të jenë të kujdesshëm me të dhënat e tyre personale dhe bankare, në faqe apo aplikacione të pasigurta.

Çdo rast i dyshimtë të raportohet pranë strukturave të Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, si edhe pranë seksioneve përkatëse në çdo DVP.

Shqiptarët kanë rënë pre e nje skemë piramidale të tipit 'Ponzi' me platformën e investimeve në bursa XUEX. Qytetarët që kanë rënë pre e kësaj skeme duhet që të investonin të paktën 1 mijë euro, në mënyrë që mund të futeshin në investim. Pas kësaj ata duhet që të sillnin të paktën 5 persona të tjerë në këtë sistem, në mënyrë që të rrisnin përfitimet e tyre./Dosja.al

xuex ereledio shebeku

Sondazh

Poll