Politike

Programi qeverisës i PS/ Çfarë përmban 'Shqipëria Europiane', nga administrata publike te siguria kombëtare dhe politika e jashtme

Në këtë term futen sektorë si shteti i së drejtës, shteti digjital, administrata publike, siguria publike si dhe politika e jashtme.

17 Shtator 2025, 12:26 Nga I.A
Programi qeverisës i PS/ Çfarë përmban
Edi Rama

TIRANË- Programi qeverisës i Partisë Socialiste është publikuar ditën e sotme. Në programin e siguruar nga Dosja.al, është ndarë në tre shtylla kryesore.

Shtylla e parë e qeverisjes është quajtur 'Shqipëria Europiane'. Në këtë term futen sektorë si shteti i së drejtës, shteti digjital, administrata publike, siguria publike si dhe politika e jashtme. 

Objektivat e këtij programi qeverisës janë që deri në vitin 2027 të përmbyllen negociatat. Ndërkohë që një vit me vonë të nënshkruhet Traktati i Anëtarësimit dhe në vitin 2030 të finalizohet anëtarësimi i Shqipërisë në BE.  

Shtylla I: Shqipëria Europiane

Shqipëria Europiane është misioni ynë kombëtar, ëndrra e brezave dhe detyra e gjeneratës sonë. Është busulla që i jep drejtim çdo vendimi dhe ritëm çdo reforme. Synimi është i qartë dhe i afërt: anëtarësimi i plotë në Bashkimin Europian brenda vitit 2030. Ky nuk është thjesht një akt diplomatik, por një proces transformues që e bën shtetin shqiptar më të drejtë, ekonominë më konkurruese dhe shërbimet publike më afër qytetarit.

Shteti i së drejtës është themeli i Shqipërisë Evropiane. Teksa konsolidojmë pavarësinë e gjyqësorit, orientohemi, përmes aleancës me teknologjinë, të kthejmë përfundimisht faqen e drejësisë shqiptare drejt një sistemi efiçent, pa tejzgjatje dhe me standardet më të larta të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve. Kodi i ri Penal dhe Kodi Civil do të jenë shtyllat e një legjislacioni modern të orientuar fuqimisht nga standardet evropiane.

Shteti digjital është fytyra moderne e qeverisjes. Shërbimet publike bëhen të thjeshta, të sigurta e të aksesueshme përmes e-Albania dhe asistentëve inteligjentë, të mbrojtura nga standard të sigurisë kibernetike që respekton standardet më të larta të BE-së. Çdo qytetar, në marrëdhënien e tij të përditshme me shtetin, duhet ta ndjejë Europën në xhepin e tij dhe në telefonin e tij.

Administrata publike ngrihet mbi integritet, transparencë, e redukim të burokracive përmes injektimit të digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale në të gjitha proceset e punës. Lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm betejë morale, por kusht i panegociueshëm i integrimit. Prokurimet modernizohen, rritet llogaridhënia dhe shteti
bëhet gjithnjë e më shumë partner më i besueshëm i qytetarit dhe biznesit.

Siguria publike dhe rendi janë themeli mbi të cilin ndërtohet mirëqenia e qytetarëve dhe besimi tek konsolidimi i imazhit të Shqipërisë si një vend i sigurt me qytete, fshtara dhe kufij të sigurt. Policimi modern, pajisur me teknologji, udhëhequr nga profesionalizmi dhe në bashkëpunim gjithnjë e më intensiv me partnerët evropianë e ndërkombëtarë, garanton rendin, parandalon krimin dhe vihet çdo ditë e më shumë në mbrojtje të të drejtave të çdo qytetari.

Siguria kombëtare dhe mbrojtja janë garancia e stabilitetit. Kapacitetet e emergjencave fuqizohen, forcat tona të armatosura modernizohen dhe ecin krah për krah me standardet e NATO-s. Një Shqipëri e fortë e bën më të fortë rajonin dhe e bën më të sigurt Europën.

Politika e jashtme dhe diaspora janë ura jonë me botën. Diplomacia aktive e vendos Shqipërinë në qendër të dialogut dhe vendimmarrjes europiane, ndërsa diaspora jonë e fuqizuar bëhet ambasadorja më e besueshme e vendit tonë, duke hapur dyer për investime, tregje dhe talente.

Rezultatet janë të matshme dhe të prekshme: deri në vitin 2027 përmbyllim negociatat, në vitin 2028 nënshkruajmë Traktatin e Anëtarësimit dhe në vitin 2030 Shqipëria hyn me dinjitet në familjen europiane. Atë ditë, flamuri kuqezi do të valëvitet krenar mes flamujve të BE-së, jo si një vizitor i përkohshëm, por si pjesë e pandashme e saj. Ky është realiteti që ne do të ndërtojmë. Ëndrra e brezave nuk do të mbetet më vetëm ëndërr, por do të bëhet e ardhmja e fëmijëve tanë. Shqipëria Europiane nuk është një horizont i largët – është stacioni ynë i afërt, është rruga jonë e përbashkët, është fitorja e gjeneratës sonë.

Programi qeverisës i PS/ Çfarë përmban
Programi

programi qeverises i ps

Sondazh

Poll