Politike

Shkak veprimet e Qeverisë/ SHBA pezullon dialogun strategjik me Kosovën: Deklaratat e Kurtit kanë paraqitur sfida

Në një njoftim në Facebook, Ambasada amerikane tha se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta.

12 Shtator 2025, 14:19 Nga I.A
Shkak veprimet e Qeverisë/ SHBA pezullon dialogun strategjik me
Foto Ilustruese

KOSOVË- Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë.

Në një njoftim në Facebook, Ambasada amerikane tha se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta.

Ambasada amerikane tha të premten se dialogu strategjik ishte menduar për t'i forcuar lidhjet ekonomike dhe diplomatike në të mirë të popullit amerikan dhe atij kosovar.

“Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, tha ajo.

Ajo tha se SHBA-ja shpreson që këto përpjekje të vazhdojnë në të ardhmen, “kur kushtet të jenë të përshtatshme”.

“Ne mbetemi të përkushtuar për të avancuar interesat e përbashkëta që ndajnë Shtetet e Bashkuara dhe populli i Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet mbi një synim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si themel për mirëqenie të përbashkët ekonomike”, thuhet në postim.

Kosova dhe SHBA-ja pritej ta finalizonin dialogun strategjik këtë vit, pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pati njoftuar në janar për arritjen e një marrëveshjeje mes dy vendeve për një dialog të tillë.

albin kurti

Sondazh

Poll